Lajme

Kënduan për fitoren, por bombardimet ruse e shuan ëndrrën


Fundi erdhi papritur nga një qiell i pastër blu, siç ndodh shpesh tani në Ukrainë.

Në gusht, një raketë ruse u përplas në tokë duke vrarë dy vajza të reja teksa ishin ulur në një stol në një shesh lojërash, nën hijen e një kishe.

Emrat e tyre ishin Kristina Spitsyna dhe Svitlana Siemieikina, dhe janë ndër më shumë se 10 mijë civilët që kanë humbur jetën që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022.

OKB-ja beson se numri aktual i burrave, grave dhe fëmijëve që janë vrarë është “dukshëm më i lartë”.

Lufta e Rusisë në Ukrainë tani është konstante.

Tmerri është bërë i njohur. Nga ana tjetër, shumë vdekje nuk raportohen në detaje.

Kur flladi pëshpërit në pemë, Halyna Spitsyna ndjen se është prania e vajzës së saj, Kristina.

“Era fryn dhe mendoj se ky është shpirti i fëmijës tim, që më përqafon”, thotë ajo.

Pastaj ajo përkulet për të vënë lule të verdha në një vazo mbi varrin e Kristinës.

Vajza e saj – një këngëtare e re premtuese – e pati ditën e saj të fundit në gusht, së bashku me shoqen e saj më të mirë Svitlana.

Ato janë varrosur krah për krah në buzë të një varreze të tejmbushur.

Varret binjakë janë një flakë ngjyrash, të grumbulluara me kurora dhe në krye me flamuj ukrainas.

Varret bien në sy – sikur të tërheqin vëmendjen se rinia dhe talenti janë marrë.

Kristina dhe Svitlana u bashkuan në kohë lufte, duke u lidhur me një dashuri për muzikën dhe një dashuri për Ukrainën.

Krijuan një dyshe të quajtur Similar Girls.

Ato kënduan në dasma dhe transmetuan drejtpërdrejt koncerte në rrugë në kanalin e tyre Telegram, duke mbledhur para për ushtarët dhe civilët.

Më 9 gusht po këndonin jashtë një supermarketi në një rrugë të zënë në qytetin e tyre të Zaporizhzhia.

Performanca e tyre është regjistruar në një telefon.

Në pamje shihet Kristina, me flokë të gjata bionde, e veshur me pantallona të shkurtra dhe Svitlana me kitarë në dorë, me xhinse.

Janë të mbushura me jetë.

“Kënga jonë e fundit do të jetë për të gjithë njerëzit dhe mbrojtësit e Khersonit”, thotë Kristina.

Ajo zgjedh një këngë të njohur ukrainase të quajtur Winning The War. Zëri i saj fluturon në ajrin e mbrëmjes:

“Nën qiellin blu në rrezet e së vërtetës,

Me diellin e verdhë mbi supe,

Ne shkruajmë libra për të ardhmen,

Si do ta fitojmë luftën,

Si e fitojmë luftën”.

Ajo këngë u bë rekuiem i tyre.

20 minuta më vonë, të dyja vajzat u vranë në këndin e lojërave, ku kishin shkuar për të pushuar.

Ishte 300 metra në këmbë nga rruga kryesore.

Halyna është torturuar nga humbja e thellë.

“Ndonjëherë mund të buzëqeshësh, por pastaj të kujtohet se ajo nuk mund të buzëqeshë më. Është sikur të jesh i vdekur, por mund të flasësh”.

Sulmi me raketë që vrau vajzat bëri jehonë në qytet.

Babai i Svitlanas, Yurii Siemieikin, e dëgjoi atë në shtëpinë e tij në periferi dhe u hodh drejt e në makinën e tij.

“E dija se ishin diku në atë lagje. Policia më la të kaloja dhe pashë atë që pashë. Svitlana ishte shtrirë para meje”, thotë ai.

Ai ulet nën hijen e një gështenjëje, pranë tij gruaja e tij Anna dhe vajza e tyre 12-vjeçare, Sasha.

Kopshti i izoluar i familjes është një univers pikëllimi.

“Si është e mundur në shekullin e XXI-të, të bëhet diçka e tillë, krejtësisht e paprovokuar?”, pyet ai.

Rusët, thotë ai, nuk do të falen kurrë.

“Kjo do të zgjasë për brezat që do të vijnë. Stërnipërit tanë do të kujtojnë gjithçka që kanë bërë këtu dhe po vazhdojnë të bëjnë”, thotë ai.

Svitlana ishte muzikante që nga fëmijëria dhe kompozonte këngët e saj.

Ajo e donte K-pop dhe studioi gjuhë të huaja.

Brenda shtëpisë modeste të familjes, dhoma e saj e gjumit është ashtu siç e la – me posterat e saj të Nirvan-ës dhe AC/DC në mur.

Kitara e saj është ende në shtrat, sikur një ditë mund të kthehet.

Tani është radha e Sasha-s të luajë me të.

“Ajo më mësoi se si. Në fillim ishte e vështirë dhe nuk më pëlqeu. Tani dua të vazhdoj të luaj. Ajo donte që të gjithë të ishin të lumtur dhe pa luftë. Ajo donte të bënte atë që mundi me muzikën e saj”.

Sasha flet me qetësi për raketat dhe sulmet ajrore – tani elementë kryesorë të një fëmijërie ukrainase.

Vrasja e motrës së saj ka ndryshuar përllogaritjen e rrezikut, në mënyrë të papritur.

“Fillova t’i kushtoj më pak vëmendje rrezikut. Unë jetoj në botën time. Ndihem më e sigurt tani sepse ndjej se Svitlana është gjithmonë me mua”.

Një foto me kornizë të Svitlanës është ngjitur në kryq në varrin e saj, fotografia e Kristinës është pranë, në varrin e saj.

Në foto ato shohin njëra-tjetrën, të dyja përgjithmonë të reja.

Ukraina po humbet disa nga më të ndriturit dhe më të mirët e saj, brenda dhe jashtë fushëbetejës.

Të vdekurit përfshijnë aktorë dhe artistë, kërcimtarë baleti dhe yje sporti, dhe zëra të së ardhmes si Kristina dhe Svitlana.

Kur shpërtheu lufta, Halyna sugjeroi që vajzat të largoheshin.

Por ato refuzuan.

Ajo thotë se donin të vazhdonin të këndonin, të ngrinin shpirtin e njerëzve.

Halina hidhërohet jo vetëm për humbjen e saj, por për atë që vendi i saj po humb çdo ditë.

“Po vdesin të rinj të cilët janë shumë të talentuar dhe shumë ambiciozë. Nëse nuk kemi fëmijë, çfarë të ardhme ka vendi. Kjo nuk ndikon vetëm tek ne. Kjo mund ta shkatërrojë Ukrainën”.

Halyna thotë se kur Kristina filloi të performonte – në moshën pesë vjeçare – “ajo doli në skenë si një yll, nuk kishte frikë nga skena, për të ishte jetike të këndonte”.

Ajo ka imagjinuar se vajza e saj do të ishte e famshme për zërin e saj, jo për vdekjen.

Në vend të kësaj, ajo dhe Svitlana – dhe shumë të tjerë – po mbushin varret.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore