Shqipëria

Këlliçi do dërgojë Veliajn në SPAK, nëse zgjidhet kryebashkiak


Kandidati i Primareve të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se do të dërgojë në SPAK kryebashkiakun aktual të Tiranës, Erion Veliaj.

Kjo, në rast të një fitoreje të mundshme të deputetit demokrat.

“Premtoj që këtë shkresë do e dërgoj si kryetar i Bashkisë Tiranë, personalisht në SPAK, meqë nuk e merr dot në pyetje Erion Veliajn. Do ta çoj unë personalisht me gjithë dosjen e inceneratorit të Tiranës”, u shpreh fillimisht Këlliçi.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Euronews Albania”, duke cituar intervistën me ish-kreun e FRPD-së.

Sipas tij, ajo çfarë ofron kandidati demokrat, është transparencë për të gjithë opinionin publik, për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe për të bërë shembull e për të dërguar zyrtarë të lartë para drejtësisë, për firmat e paligjshme që kanë vendosur.

“Premtoj transparencë në rastin e inceneratorin e Tiranës, sepse dokumentet janë të bllokuara dhe nuk bëhen publike. Premtoj që do kërkoj rihapjen e çështjes së Ardit Gjoklajt”, ravijëzoi në përmbyllje ai.

Kujtojmë që më 27 tetor deputeti i selisë blu zyrtarizoi kandidaturën e tij, e cila duhet të kalojë fillimisht përmes primareve për të shkuar drejt zgjedhjeve vendore të fiksuara më 14 maj.

“Unë kandidoj në këto primare për zgjedhjet vendore, pasi besoj se për të administruar Tiranën duhet të fitosh si fillim besimin e forcës politike ku adreson, të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Në ndryshim nga Erion Veliaj, ecuria ime në politikë është vetëm nëpërmjet garës dhe votës së lirë”, deklaronte përfaqësuesi demokrat.

Sipas tij, Veliaj kërkon të shfrytëzojë këtë pushtet dhe i duhet bashkia për një mandat të tretë.

“E kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe në Tiranë. Të rinjve këtu u duhen tre jetë për të blerë një apartament. Veliaj është i vetmi njeri që mund të ketë konkuruar Ramën për abuzim me detyrën, për instalimin e një modeli të mbrapshtë. Ai dhe modeli i tij duhet larguar një orë e më parë”, theksoi Këlliçi.

Këlliçi është i gatshëm të lërë mandatin në Kuvend për të garuar përballë Erion Veliajt, për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore