Lajme

KE thotë se nuk do t’i njohë kurrë territoret e aneksuar nga Rusia në Ukrainë


Këshilli i Evropës në një deklaratë për mediat ka kundërshtuar dhe dënuar me vendosmëri aneksimin e paligjshëm nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës.

“Duke minuar me dashje rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe duke shkelur hapur të drejtat themelore të Ukrainës për pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial, parimet thelbësore të sanksionuara në Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, Rusia po vë në rrezik sigurinë globale”, shkruhet në deklaratë.

KE-ja siguron se nuk do t’i njohe kurrë referendumet ilegale, që Rusia ka krijuar si pretekst për këtë “shkelje të mëtejshme të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Sipas saj, këto vendime janë të pavlefshme dhe nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik.

“Krimea, Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk janë Ukrainë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që ta refuzojnë pa mëdyshje këtë aneksim të paligjshëm”.

Këshilli thekson se përballë luftës së agresionit të Rusisë, si dhe përshkallëzimit të fundit të Moskës, Bashkimi Evropian qëndron me vendosmëri me Ukrainën dhe popullin e saj.

“Ne jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore