Lajme

KDI: Votoni marrëveshjet ndërkombëtare, pa inate politike


Ilustrim

Me moton “Kuvend për punë jo për show”, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që gjatë seancës së ditës së mërkure, t’i anashkalojnë inatet politike e t’i votojnë katër marrëveshjet ndërkombëtare.

“Këto marrëveshje nuk po arrin të miratohen për shkak të mungesës së kuorumit”, thuhet në njoftimin e këtij instituti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës ratifikimi i marrëveshje ndërkombëtare kërkon 2/3 e votave të deputetëve, prandaj Instituti kërkon pajtueshmëri më të gjerë në mes të grupeve parlamentare për t’i miratuar ato, pasi që shumica parlamentare nuk i ka votat që t’i kalojë këto marrëveshje.

“Instituti konsideron se një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës e promovuar dhe e kultivuar nga shumica, duhet të mbizotërojë në angazhimin e përbashkët për çështje që shkojnë përtej interesave partiake dhe kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve”,

Ndryshe, të hënën ka dështuar votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Ani pse në kuvend ishin të pranishëm 93 deputetë, vetëm 71 votuan pro.

Pra mungesa e votave të opozitës e pamundësoj ratifikimin e këtij projektligji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore