Sport

Kategoria Superiore/ Një javë nga përfundimi, mund të vendoset gjithçka


Kategoria Superiore do të luajë ditën e premte ndeshjet e javës së 35-të të saj. Të gjitha ekipet do të zbresin në fushë për të luajtur javën e parafundit të sezonit 2020/21, duke filluar nga ora 17:00.

Kryendeshja e javës së 35-të do të luhet në Tiranë midis Partizanit dhe Vllaznisë. Demat e Kuq udhëheqin Superioren me 62 pikë, po aq sa edhe Teuta e vendit të dytë.

Shkodranët renditen në vendin e katërt me 60 pikë dhe një fitore në ndeshjen përballë të kuqëve do u jepte përparësi për titull.

Në tre ndeshjet e mëparëshme përgjatë këtij sezoni, Vllaznia ka marrë një fitore 1-0 dhe dy ndeshjet e tjera kanë përfunduar në barazim pa gola.

Laçi përballë Teutës do të jetë ndeshja tjetër e rëndësishme në luftën për titullin kampion. Vendasit kanë 60 pikë në renditje dhe pozicionohen në vendin e tretë, ndërsa miqtë kanë 62 pikë dhe janë në vendin e dytë.

Tre ndeshjet e mëparëshme përgjatë këtij kampionati kanë përfunduar me nga një fitore minimale 1-0 për secilin ekip dhe një barazim 1-1.

Kastrioti do të presë Bylisin, në ndeshjen më të rëndësishme për qëndrimin në Superiore. Vendasit renditen të tetët me 31 pikë, ndërsa ballshiotët renditen të nëntët me 30 pikë.

Tre ndeshjet e mëparëshme kanë përfunduar me rezultatet: 2-1 për Bylisin, 1-0 për Kastriotin dhe një barazim 1-1.

Skënderbeu do të përballet me Kukësin në Korçë. Vendasit duan një fitore për të siguruar qëndrimin në Superiore edhe për vitin tjetër. Në krahun tjetër, Kukësi është jashtë çdo objektivi dhe qëndron në mesin e artë të tabelës.

Apolonia dhe Tirana është ndeshja e fundit e kësaj jave në Superiore. Fierakët tashmë kanë rënë nga kategoria, ndërsa bardheblutë janë në mesin e artë dhe shanset i kanë minimale për të arritur në Kupat e Europës.

Java e fundit e Superiores do të luhet më 26 maj, duke filluar nga ora 17:00. Përballjet do të jenë: Tirana – Skënderbeu, Vllaznia – Laçi, Bylis – Partizani, Kukësi – Kastrioti, Teuta – Apolonia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore