Sport

Kategoria Superiore, luhen shanset për mbijetesën


Kategoria Superiore do të luajë ditën e diel dy ndeshje të javës së 31-të. Në Ballsh, Bylisi pret Tiranën dhe në Kamëz Kastrioti pret Skënderbeun. Të dy ndeshjet do të luhen duke filluar nga ora 16:00.

Bylisi i vendit të tetë do të presë Tiranën e vendit të pestë. Vendasit kanë 29 pikë në renditje dhe rrezikojnë rënien nga kategoria, pasi janë vetëm tre pikë larg Skënderbeut të vendit të nëntë. Miqtë kanë 49 pikë, gjashtë pikë më pak se Teuta kryesuese.

Bylisi në ndeshjet në shtëpi ka grumbulluar 20 pikë në 15 javë, praktikisht kanë arritur nga pesë fitore, pesë barazime dhe pesë humbje. Tirana në transfertë ka grumbulluar 25 pikë në 15 javë. Miqtë kanë gjashtë fitore, shtatë barazime dhe dy humbje.

Tre përballjet e mëparëshme mes tyre, të luajtura përgjatë tre fazave të para të Superiores kanë përfunduar me rezultatet: dy ndeshje në barazim pa gola dhe një fitore 2-0 për Tiranën.

Kastrioti i vendit të shtatë do të presë Skënderbeun e vendit të nëntë. Vendasit kanë 31 pikë në renditje. Pra, dy pikë më shumë se Bylisi që mban vendin e tetë dhe të play-off dhe pesë pikë më shumë se Skënderbeu.

Në ndeshjet si ekip pritës, Kastrioti ka grumbulluar 17 pikë pas 15 javësh. Krutanët kanë arritur katër fitore, pesë barazime dhe gjashtë humbje. Skënderbeu si ekip udhëtues ka grumbulluar 15 pikë në po kaq javë. Katër fitore, tre barazime dhe tetë humbje kanë miqtë në transfertë.

Tre përballjet e fundit, përgjatë tre fazave të para të Superiores midis tyre, kanë përfunduar me rezultatet: 0-1 dhe 1-2 për Kastriotin në Korçë dhe një ndeshje në barazim 2-2 me Kastriotin si ekip pritës.

Ditën e hënë do të luhen tre ndeshjet e mbetura të Kategorisë Superiore për javën e 31. Laçi pret Kukësin, Vllaznia pret Teutën dhe Partizani pret Apoloninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore