Lajme

Kartelet e Meksikës joshin qindra rekrutë çdo javë


Në Meksikë, grupet e organizuara kriminale rekrutojnë deri në 185 mijë njerëz dhe tërheqin qindra rekrutë të rinj çdo javë.

Për këto shifra flasin vlerësimet e reja kërkimore, duke ravijëzuar vështirësinë e çmontimit të karteleve dhe reduktimin e dhunës në vend.

Grupet e krimit të Meksikës, të cilat u rritën nga tregtia e drogës dhe tani janë zgjeruar në një sërë biznesesh nga zhvatja deri te vjedhja e naftës, kanë qenë një forcë shtytëse pas një rritjeje të vrasjeve dhe zhdukjeve në vend që nga viti 2008.

Pjesë të shteteve si Michoacán dhe Guerrero kontrollohen efektivisht nga grupet, me autoritetet që shpesh veprojnë në bashkëpunim me bosët e krimit.

Meksika është bërë një objektiv i politikanëve amerikanë përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, duke pretenduar se qeveria e presidentit Andrés Manuel López Obrador nuk po bën sa duhet për të ndaluar dhunën dhe rrjedhën e drogës drejt veriut.

Autorët e artikullit, të botuar në revistën akademike Science, përdorën të dhëna për vrasjet, njerëzit e zhdukur, burgosjet dhe raportet e lajmeve për të ndërtuar një model dinamik të madhësisë së karteleve.

Studiuesit kanë vlerësuar se midis 160 mijë dhe 185 mijë njerëz punojnë për grupet në një farë kapaciteti, qoftë herë pas here apo me kohë të plotë, me të paktën 350 njerëz të rinj të rekrutuar çdo javë.

Edhe pse shumë më e vogël se industritë kryesore të vendit si prodhimi dhe ndërtimi, kjo do t’i bënte grupet punëdhënës më të mëdhenj se kompanitë si firma shtetërore e naftës Pemex.

“Duke përshkruar madhësinë e tyre, ne të paktën kuptojmë strukturën e tyre të madhe, fuqinë e madhe që ata kanë dhe sfidën ekonomike që përfaqësojnë”, ka thënë Rafael Prieto-Curiel, një nga autorët.

“Ne kemi një makinë rekrutimi ku njerëzit nga 12 deri në 15 vjeç joshen ose detyrohen të hyjnë në grup… në 10 vjet ka shumë gjasa që ata të arrestohen ose të vdesin”, ka shtuar ai.

Sipas ekspertëve të sigurisë, grupet kanë zgjeruar fuqinë e tyre gjatë presidencës së López Obrador.

Udhëheqësi populist ka thënë se donte një strategji “me përqafime dhe jo plumba” për të trajtuar shkaqet rrënjësore të dhunës.

Por në praktikë ekspertët e sigurisë janë të mendimit se politikat e tij kanë hequr dorë nga kontrolli territorial.

Sakaq, mungesa e të dhënave të besueshme dhe të detajuara të Meksikës për aktivitetet e paligjshme dhe fuqia e grupeve e bëjnë më të vështirë marrjen e një pasqyre të saktë të aktiviteteve të tyre kriminale.

Studiuesit e korporatës amerikane Rand kanë thënë se dokumenti i ri është një përpjekje e rëndësishme për të kapur dinamikën e kartelit, por metodologjia e tij ka një sërë mangësish.

Sipas tyre, ka mungesë të provave për të mbështetur supozimin se 10 për qind e viktimave të vrasjeve ishin anëtarë të kartelit dhe se ndryshimet në treg nënkuptojnë se modelet e rekrutimit luhateshin.

“Kartelet janë organizata adaptive që shpesh drejtohen nga njerëz inteligjentë që mund të ndryshojnë sjelljen në përgjigje të kushteve në ndryshim”, kanë thënë studiuesit.

Hulumtimi gjithashtu ka parë zgjidhjet e mundshme të problemeve dhe arrin në përfundimin se ndalimi i rekrutimit do të ishte më efektiv sesa rritja e shkallës së burgimit.

Në SHBA, disa kandidatë dhe votues republikanë tani mbështesin ndërhyrjen ushtarake kundër karteleve – me ose pa pëlqimin e Meksikës.

Brenda Meksikës, pak liderë politikë kanë propozuar zgjidhje të detajuara për problemin e krimit të organizuar, por siguria ka të ngjarë të jetë një shqetësim kryesor për votuesit në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Rand ka thënë se një “kuptim më i pasur i dinamikës themelore të tregjeve kriminale mund të ndihmojë në informimin e risive më efektive të politikave”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore