Shqipëria

Kardinali shqiptar në krah të Papës gjatë bekimit të Pashkëve


“Urbi et Orbi”.

Është ky urimi i përvitshëm që Papa Francesco jep për besimtarët katolikë në gjithë botën, në qindra gjuhë të gjithë botës, për të simbolizuar bashkimin.

Ajo përkthehet thjeshtësisht, “Për qytetin dhe për botën” dhe në themel, artikulohet nga kreu i Papatit në ditën e shënjuar të Pashkëve, për kalendarin e krishterë.

Me një fuqi të gjetur brenda vetes, Francesco e mposhti lodhjen e stërmundimin nga një sëmundje e kaluar ditët e fundit, ku iu zhvillua edhe një bronkit në mushkëri dhe disa ditë, iu deshën t’i kalonte në spital.

Ndoshta, pikërisht për të reflektuar edhe forcën e ringritjes, ai kishte zgjedhur që urimin e bekuar këto Pashkë, ta ndante së bashku me një figurë shumë të njohur për shqiptarët, kardinalin Ernest Simoni, i cili në moshën 94-vjeçare, ende përfaqëson jetën njerëzore pas vuajtjeve të shumta dhe mundimeve, të lëna pas në epokën e komunizmit.

Simoni u shpall kardinal pikërisht prej Papa Francescos, më 19 nëntor 2016, pas ky i fundit e pati njohur në vizitën e tij në Shqipëri, ku u ballafaqua edhe me historinë rrëqethëse të priftit shqiptar, i cili vuajti pasojat më të egra të komunizmit, për shkak të besimit të tij.

Ai qe dënuar dy herë për vdekje nga ish-diktatori komunist, Enver Hoxha, ku më pas vuajti 28 vite të jetës në punë të rëndë të detyruar.

Megjithatë, Simoni, i lindur në Troshan në një familje katolike, zuri kopertina të tëra gazetash mbarëbotërore, kur një çast prekës me Papa Francescon, i tregoi ata të dy kokë më kokë, si për reflektuar se udhëheqësi shpirtëror i mbi 2 miliardë besimtarëve në botë, e ndiente fare mirë gjithë vuajtjen e kaluar prej shqiptarëve dhe e ndante atë me ta.

Sot, kardinali Simoni, në prag të 95-vjetorit të tij, mund të thotë se ka qenë aty, me Francescon, për të dhënë urimin e bekuar, “Gëzuar Pashkët” dhe për të qenë vetë ai, shembulli i shpresës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore