Lajme

Kaos në sistemin e drejtësisë në Veri – dorëheqjet e gjyqtarëve e prokurorëve serbë ende s’janë aprovuar – seanca s’janë mbajtur që 5 muaj


Foto: Albanian Post.

Që nga dorëheqja e stafit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Veri, Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë e kanë parë si zgjidhje transferimin e lëndëve tek gjyqtarët e tjerë si dhe duke formuar komisione për regjistrimin e lëndëve.

Gjykatë Themelore në Mitrovicë, përmes një përgjigje për Albanian Post ka thënë se trajtimi i lëndëve të mbetura pezulluar është duke vazhduar, por akoma nuk dihet nëse do të ketë emërim të ri të gjyqtarëve në këtë pjesë.

“Ju njoftoj se ne kemi përpiluar planin e veprimit pas gjendjes së krijuar me datën 07.11.2022 me rastin e ofrimit të dorëheqjeve, kemi vepruar sipas planit ku kemi lëvizur gjyqtarë për brenda gjykatës dhe kemi formuar komisionin për regjistrimin e lëndëve dhe ricaktimin e lëndëve përmes sistemit SMIL”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

“Lëndët janë ricaktuar tek gjyqtarët aktualë dhe janë duke vepruar. Gjithashtu plani i veprimit ka qenë që përmes KGJK-së, për shkak të ngarkesës së madhe me lëndë, një numër i lëndëve të transferohen në gjykatat tjera në nivel vendi, në këtë drejtim kemi pasur mbështetje nga KGJK-ja”.

Një pjesë e stafit të gjykatës, duke u larguar nga ndërtesa pas dorëzimit të dorëheqjeve.

“Gjykimi i lëndëve kthehet në pikën zero”

Gjykata mund të ketë menduar t’i transferojë lëndët, por kjo nuk nënkupton se procesi vazhdon aty ku ka mebtur.

Avokati Yll Zekaj, pohon se gjithçka kthehet në pikën zero, derisa tregon për Albanian Post se tash e pesë muaj nuk janë mbajtur seanca për këto lëndë.

“Po, kemi lëndë të cilat kanë të bëjnë me trafikimet njerëzore që kanë filluar seancat para dorëheqjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë. Tani janë mbi pesë muaj që nuk është caktuar ndonjë seancë e re në momentin që kjo lëndë të cilën jemi duke e trajtuar shkon në një gjykatë tjetër, atëherë do të kthehet në pikën zero”, thotë Zekaj për AP.

“Në çdo rast kur kemi ndryshim të trupit gjykues të lëndëve penale gjykimi kthehet në pikën zero dhe kjo do të thotë që të gjitha provat të administrohen nga fillimi dhe kjo shkakton zvarritje të procedurës. Kjo ndodh në çdo rast kur një lëndë shkon nga një gjykatë në gjykatën tjetër”.

Por, përveç kësaj Zekaj bën të ditur se konkursi i ri për të zëvendësuar gjyqtarët e rinj në Veri nuk është hapur pasi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), akoma nuk janë aprovuar dorëheqjet e stafit gjyqësorë në këtë pjesë.

“Aktualisht e kemi një problematikë që akoma dorëheqjet e gjyqtarëve nuk janë aprovuar nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe deri në aprovimin e dorëheqjeve ata konsiderohet që janë akoma brenda sistemit të drejtësisë, do të thotë nëse aprovohet dorëheqjet nga KGJK-ja atëherë të njëjtit nuk kanë të drejt që të kthehen kështu që duhet të hapet konkurs i ri”.

Mundësitë janë të mëdha që një problem i ngjashëm që është shfaqur për zëvendësimin e policëve në Veri, të paraqitet edhe për zëvendësimin e stafit gjyqësorë në Veri.

“Por, pastaj ekziston problemi nëse mund të gjinden gjyqtarë të rijnë që të plotësohen të gjitha vendet nga radhët e komunitetit pakicë”.

Më 7 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia dhe në këmbim u dha disa kontrata, në bazë të të cilave, përveç pagës, u rregulluan edhe çështje të tjera, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta mundësojë këtë kthim.

Serbët e kanë kushtëzuar kthimin e tyre në institucione në kohën kur kanë dhënë dorëheqje së bashku me përfaqësuesit politikë nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave dhe ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Pasi është plotësuar kushti për riregjistrimin e makinave, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është këmbëngulur në themelimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë Asociacion në vitin 2013, por Kosova refuzon ta zbatojë atë me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj.

Kurse gjatë muajve të fundit ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj Kosovës për ta themeluar Asociacionin, duke thënë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore