Kosova

Vetëm 140 kandidatë për zëvendësimin e policëve në Veri, mbi 400 pozita mbesin të lira


Largimi i policëve në Veri.

Deri tani ka pasur rreth 140 kandidatë të interesuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës në Veri, pas bojkotimit kolektivë që iu bënë institucioneve serbët lokalë.

Këta kandidatë janë nga komunitetet pakicë si serbë, boshnjakë, turq, ashkalinj, egjiptianë dhe romë.

Aplikimin e këtyre kandidatëve e ka konfirmuar Policia e Kosovës për Albanian Post përmes një përgjigje me shkrim.

“Ka pasur mbi 140 kandidatë të interesuar për aplikim nga komunitetet pakicë si serbë, boshnjakë, turq, ashkalinj, egjiptianë dhe romë”.

“Referuar kërkesës suaj rreth informacioneve përfshirë edhe procedurat zyrtare qe aplikohen në të gjitha konkurset për rekrutim të zyrtarëve policorë i keni publike, te cilave edhe mund t’iu referoheni”, thuhet në përgjigjen e Policisë për AP.

140 policët që kanë aplikuar sqarohet se do t’i nënshtrohen edhe testimit me shkrim.

Por, akoma është e paqartë se si do të plotësohen mbi 400 pozita të lira në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut.

Largimi i policëve në Veri.

Lidhur me këtë çështje Albanian Post, dërgoi pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pranoi përgjigje.

Çfarë po i ndalon të rinjtë që të aplikojnë për konkursin në Veri?

Ish drejtori i Policisë së Kosovës dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, thotë për Albanian Post, se problemi nuk qëndron se ka pak interesim.

“Është një fakt tjetër, ka shumë kërcënime, shumë presion ndaj secilit që dëshiron të aplikojë në pozitën e kadetit policor në Policinë e Kosovës”.

Sipas tij, “këto presione dhe kërcënime vijnë nga Vuçiçi dhe i tërë aparati i tij shtetëror, po ashtu edhe nga Lista Serbe dhe elementet e tjera që janë në Veri”.

Një presion të tillë Qalaj e quan si “të paparë”, pasi që kërcënimet mund të shkojnë deri me marrjen e jetës së personave.

“Pra, është një presion i paparë, madje edhe me jetë ndaj tyre ndaj familjes së tyre. Kjo është njëra ndër çështjet përse njerëzit të rinjtë/të rejat nuk guxojnë të aplikojnë në atë rajon”.

Sa i përket rikthimit të policëve që kanë dhënë dorëheqje në Veri, ish drejtori i policisë së Kosovës, bën të ditur se nuk është i mundur sepse nëse ndodh një gjë e tillë do të ishte joligjore.

“Meqenëse që nga muaji shtator janë bërë pesë apo gjashtë muaj prej që ata kanë dhënë dorëheqje, i kanë kaluar të gjitha kushtet ligjore që ua mundëson kthimin dhe është shumë problematike”.

‘Madje, është në kundërshtim me ligjin në rast se ata kthehen”, thotë Qalaj për AP.

Të njëjtit, deklaron se e kanë pasur mundësinë që të rimendojnë dorëheqjet e tyre, por që nuk e kanë bërë.

“Ata e kanë pasur mundësinë gjatë muajit të parë që të kthehen në Policinë e Kosovës, mirëpo që të kthehen është dashur ta bëjnë një kërkesë individuale, ata nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundēsi”.

Qalaj ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës në mënyrë që punësimi i policëve në këtë pjesë të bëhet suksesshëm.

“Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me ofertat për punësimin e të rinjëve në atë pjesë. Pra, nëse ky konkurs nuk e ka plotësuar të gjithë numrin që kërkohet ose duhet të vazhdohet konkursi më tutje ose të hapet një konkurs i ri në mënyrë që të mbushet kuota e lejuar që kërkohet”.

Dorëheqja e 550 pjesëtareve të policisë në Veri

Që nga nëntori i vitit 2022, mbi 550 pjesëtarë të policisë në Veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat nga targat serbe me targa të Kosovës.

Konkursi për pranimin e policëve të rinj u hap në fillim të janarit, ndërsa më pas u shty deri më 10 shkurt.

Gjatë kësaj periudhe kishte nisur edhe një fushatë “për rëndësinë e konkursit”, e cila u mbështet nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare dhe të ambasadave.

Nuk ishin vetëm pjesëtaret e Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqje serbët lokalë dhanë edhe nga institucionet gjyqësore dhe nga administrata lokale.

Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia dhe në këmbim u dha disa kontrata, në bazë të të cilave, përveç pagës, u rregulluan edhe çështje të tjera, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta mundësojë këtë kthim.

Serbët e kanë kushtëzuar kthimin e tyre në institucione në kohën kur kanë dhënë dorëheqje së bashku me përfaqësuesit politikë nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave dhe ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Pasi është plotësuar kushti për riregjistrimin e makinave, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është këmbëngulur në themelimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë Asociacion në vitin 2013, por Kosova refuzon ta zbatojë atë me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj.

Kurse gjatë muajve të fundit ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj Kosovës për ta themeluar Asociacionin, duke thënë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore