Lajme

Kandiç kujton vëllezërit Bytyqi: Serbia i shpërbleu kriminelët, në Beograd s’ka politikanë që e mbrojnë të vërtetën


Natasha Kandiç

Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, njëherë themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka kujtuar Agronin (23), Mehmetin (21) dhe Ylli Bytyqin (25)  të cilët u vranë 23 vjet më parë nga njësitet speciale të policisë serbe, teksa po ndihmonin një familje rome të kalonin kufirin gjatë luftës në Kosovë.

Në prag të përvjetorit të Masakrës së Srebrenicës (11-22 korrik 1995), përmes një cicërime në “Twitter”, ajo ka thënë se është turp që Serbia i ka liruar nga përgjegjësia penale, jo vetëm kryesit e masakrës së Srebrenicës, por edhe komandantin dhe anëtarët e njësiteve speciale të policisë serbe që vranë vëllezërit Bytyqi në vitin 1999.

“Ylli, Mehmeti dhe Agroni fituan respekt dhe admirim duke i mbrojtur romët, kur edhe shqiptarët vdiqën për t’i ndihmuar serbët dhe romët, ndërsa Serbia e shpërbleu krimin dhe mbrojti komandantin dhe anëtarët e njësisë më të rrezikshme policore nga përgjegjësia penale”, ka shkruar Kandiç në llogarinë e saj.

Ajo ka thënë se është shkatërruese dhe e dhimbshme që në Serbi, përveç glorifikimit të të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç, atje nuk ka politikanë që do të mbronin publikisht të vërtetën për përgjegjësinë e shtetit serb për gjenocidin dhe krimet e tjera të luftës, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kandiç ka qenë një ndër njerëzit e rrallë në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 në Kosovë dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008, ndërsa ishte mysafirja e vetme nga Serbia në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore