Lajme

“Kampet e vejushave” në Siri – ku gratë dhe fëmijët “jetojnë” me dhunën kronike


Përafërsisht 2.8 milionë sirianë jetojnë në kampe

Nivele të larta të dhunës kronike, depresionit, deri edhe “seks për mbijetesë”.

Është kjo panorama e disa kampe në veriperëndim të Sirisë, ku jetojnë gra dhe fëmijë, dhe që shpesh cilësohen si “kampet e vejushave”.

Sipas një raporti të ri, publikuar nga Organizata Jo Qeveritare “World Vision”, fëmijët në këto kampe lihen në mëshirë të fatit, të keqtrajtuar dhe shpesh janë të detyruar të punojnë, ndërsa nënat paraqiten në “gjendje të rëndë” psikologjike.

“Më shumë se 80 për qind e grave raportojnë se ndaj tyre nuk tregohet kujdesi i duhur shëndetësor dhe se 95 për qind janë të dëshpëruara”, shkruhet në raport.

Ndërkohë, rreth 34 për qind e fëmijëve thanë se kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës, kurse 2 për qind thanë se janë martuar të rinj.

Puna e fëmijëve është një problem i madh – me 58 për qind të djemve dhe 49 për qind të vajzave të moshës 11 vjeç e lart të detyruar të punojnë.

Nga 419 personat e intervistuar prej “World Vision”, në gjithsej 28 kampe, shtëpi e dhjetëra mijëra grave beqare – duke përfshirë ato që janë të divorcuara ose burrat e të cilëve janë të zhdukur – dhe fëmijët e tyre, afërsisht një në katër gra tha se kishte rënë pre e abuzimit seksual.

Kurse, rreth 9 për qind e të anketuarve thanë se vetë ata ishin abuzuar seksualisht.

Sipas “World Vision”, gratë nuk lejohen të dalin lirisht nga kampet.

Në pamundësi për të kërkuar punë me pagesë ose për të mbështetur familjet e tyre, disa mendojnë se nuk kanë “zgjidhje” veçse të angazhohen në të ashtuquajturin “seks për mbijetesë” me roje meshkuj dhe menaxherë kampesh.

Vëmendje e munguar

“Ne po shohim se bota, me të drejtë, shpreh solidaritet ndaj viktimave të konfliktit në Ukrainë dhe, po ashtu qeveritë angazhohen bujarisht për të bërë gjithçka që duhet për të përmbushur nevojat humanitare atje”, deklaron fillimisht autorja kryesore e raportit, Alexandra Matei.

Sipas saj, vëmendje duhet të tregohet edhe ndaj vejushave siriane dhe fëmijëve të tyre, të cilët meritojnë të njëjtin nivel ndjeshmërie, dhembshurie dhe përkushtimi.

“Dhimbja e tyre, dëshpërimi, nevoja e tyre nuk është më e vogël se kushdo tjetër që po ikën nga konflikti”, thekson Matei.

Dëshmi nga kampet

Fatima – kërkon të mbetet anonime – rrëfen sesi jeton në një nga kampet, së bashku me tre fëmijët e saj.

Ajo vuan nga dhimbje të forta shpine, por nuk është në gjendje të marrë kujdesin shëndetësor.

“Nuk kemi as bukë, as ujë”, tha ajo. “Kur (fëmijët) kërkojnë banane, unë u them që të tregohen të durueshëm. Nuk mund të bëjmë asgjë. Uji dhe buka janë më të rëndësishme”.

Më tej, ajo thotë që  shpesh gratë dhe vajzat janë të detyruara të shkojnë në mal, për të marrë dru për t’u ngrohur ose për të gatuar, çka u krijon një ndjenjë pasigurie.

“Nuk është aspak e sigurt. Duhet të marr me vete fqinjin tim, ose dikë që të mos shkoj vetëm. As fëmijët nuk mund t’i dërgoj vetë, sepse nuk është e sigurt. Unë nuk kam njeri”.

Gjendja në “kampet e vejushave”

Gati 7 milionë sirianë janë zhvendosur në kampe që nga shpërthimi i konfliktit në vitin 2011.

“Kampet e vejushave” në Idlib dhe Aleppo menaxhohen nga opozita siriane dhe ushtria turke. Kushtet atje konsiderohen “drastike”, më të këqija se në kampet e përgjithshme.

Ka pak, ose aspak ofrim të shërbimeve thelbësore për banorët, të cilët po përjetojnë atë që punonjësit e ndihmës e kanë përshkruar si “një krizë brenda një krize tronditëse” dhe “më të këqijat nga më të këqijat”. Qasja u është kufizuar OJQ-ve lokale.

Raporti i “World Vision” vjen përpara konferencës së premtuar të qeverisë për Sirinë në Bruksel.

Financimi ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2015, për shkak të asaj që raporti thoshte se ishte “lodhja e donatorëve dhe COVID-19”.

Më pak se gjysma e planit të reagimit humanitar të Sirisë u përmbush vitin e kaluar. Më shumë se 14 milionë sirianë kishin nevojë për një lloj ndihme që nga muaji i kaluar, sipas OKB-së.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore