Lajme

Kamberi pritet ta marrë edhe një mandat në Kuvendin e Serbisë


Shaip Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, pritet të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – në Kuvendin e Serbisë edhe për një mandat. Ai ka fituar votat e nevojshme për të qenë zëri i shqiptarëve në legjislativin serb.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka raportuar të dielën se koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë të mbajtuar këtë të dielë (17 dhjetor), ka fituar rreth 11 mijë e 500 vota, kurse “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, ka marrë rreth 1 mijë e 250 vota.

Në Serbi kanë përfunduar votimet për zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore dhe sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), Lista e Partisë Progresive të Serbisë (SNS) “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 70 për qind të mostrave të përpunuara.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, bazuar në rezultatetet preliminare të CeSID, ka fituar rreth 23 për qind të votave (rreth 63 mandate), ndërsa Partia Socialiste e Serbisë (SPS) nën udhëheqjen e kryediplomatit serb, Ivica Daçiç, ka fituar jo më shumë se 6.9 për qind të votave (19 mandate). E djathta nacionaliste serbe ka fituar rreth 4.8 përqind.

E të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa janë mbyllur në orën 20:00 në mbrëmje. Deri në orën 20:00 kanë votuar 59.68 për qind e qytetarëve, kurse procesi është monitoruar nga mbi 5 mijë vëzhgues.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore