Lajme

Kamberi pas takimit me Hillin: Biseduam për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës


Shaip Kamberi dhe Christopher Hill

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për takimin me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, me të cilin tha se biseduam për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Zhvillimet rajonale politike, kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tonë, ishin temat për të cilat bashkërisht biseduam”, shkroi Kamberi.

Ndërkaq, Hill pas vizitës në Luginën e Preshevës këtë të hënë ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me çështjen e shqiptarëve në Serbi, por vetëm zgjidhjen e problemeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhen ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu apo në pjesët tjera të vendit”, tha Hill, transmeton portali “Bujanovaçke”.

Hill, në një konferencë për media pasi takoi përfaqësuesit politikë të Luginës së Presheves këtë të hënë, saktësoi se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është çështje e shtetit të Serbisë dhe nuk ka të bëjë asgjë me dialogun mes dy vendeve në Bruksel.

Sipas diplomatit amerikan, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars, pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë”, deklaroi Hill, teksa komentoi letrën e kongresmenëve që ia dërguan Antony Bliniken-it që edhe në Serbi të ketë reciprocitet të të drejtave siç i gëzojnë serbët në Kosovë.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, pas takimit tha se ambasadori Hill iu premtoi se do të diskutojë për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht që të ketë reciprocitet të të drejtave, të cilët kanë shprehur pakënaqësi me statusin e tyre në përgjithësi e posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak si dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Ndryshe, një delegacion nga Lugina e Preshevës më 27 shkurt filluan vizitën e tyre në Shtetet e Bashkuara, ku për herë të parë patën mundësinë që t’i drejtohen Senatit të ShBA-ve dhe të raportojnë për situatën në Luginë të Preshevës, shqiptarët dhe pozitën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore