Shqipëria

Kalamendje zgjedhore


Data 14 maj përkon me zgjedhjet vendore, por ajo ka filluar të largohet pak më shumë prej qëllimit final duke iu përafruar ndoshta identitetit të zgjedhjeve qendrore.

Deklaratat e përfaqësuesve të forcave kryesore politike si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita nuk kanë asnjë pikëprerje me fushatën për problemet bazike të kryeqytetit apo banorëve që e gëlojnë.

Duke nisur nga kryedemokrati Sali Berisha dhe gjestet e ish-presidentit Ilir Meta, apo te rikujtesat e Veliajt, të gjitha kornizojnë një produkt larg komunitetit dhe pranë betejave partiake në distancë.

Madje për dikë që nuk është i interesuar apo i investuar me kohën e tij në politikën shqiptare dhe përditësohet sa herë zhvillohen procese zgjedhore, gara lokale e 2023-it po prodhon një kalamendje të vërtetë elektorale.

Fillimisht, në njërën anë dëgjon “liderin historik” të demokratëve Sali Berisha që bën thirrje kontradiktore “që mos të votohet për PD-në”.

“Unë për çdo demokrat kam një ftesë, të bashkohemi dhe të mos harrojmë se geni ynë është pluralizmi, se ideali ynë është liria. Asnjë demokrat nuk duhet të harrojë investimin e tij. Për sa u përket binomit Basha-Alibasha, ai përbën shëmtirën politike më të madhe në 32 vite, pengjet më të keqpërdorura në historinë politike të Shqipërisë, janë pengje të Edi Ramës dhe çdo votë e imagjinuar për ata është votë për Edi Ramën”.

Për analistin Ben Andoni, kjo deklaratë e ish-kryeministrit është “një lloj prirje, që tregon filozofinë e tij, që tashmë njihet si berishizëm për të akuzuar këdo, që nuk është si ai dhe kundër tij, me damkosjen e kundërshtarit-armik”.

“Ky është rasti tipik, ku ai gjen armiq madje edhe në forcën politike, që e përfaqëson realisht logon e PD-së, paçka se ajo tashmë është bjerrur”, përpiqet të përshkruajë gazetari për Albanian Post.

Së dyti, sheh një figurë që ka prekur çdo post politik dhe drejtues si Ilir Meta, i cili nën ombrellën e “Partisë së Lirisë”, ka filluar të imitojë dy gishtat e demokracisë duke anatemuar faktin që kjo forcë u krijua si “ultrademokratike – as e majtë, as e djathtë”.

“Ndryshimi që ai i bëri partisë së tij LSI në pak orë në Parti të Lirisë dhe katapultimi i njerëzve pa kontribute në piramidën e kësaj partie, që është dukshëm familjare, nuk justifikon asnjë akrobaci. Edhe në këtë rast, kjo lloj qendre e tij nuk përfaqëson ideologji, por mirëfilli pragmatizëm, sepse besoj se do përfitojë sërish”, shton në rrëfimin e kalamendjes zgjedhore Ben Andoni.

Sipas tij, këtë herë e ka radhën PD-ja dhe ai guxon të besojë se në zgjedhjet e përgjithshme pas dy viteve, Partia e Lirisë mund të kërkojë aleancë me PS-në.

“Pragmatizmi i tij dhe konfuzioni ideor e bën jo të besueshëm, paçka se kauza e referendumeve që po mbështet është e arsyeshme dhe e nevojshme për publikun”, vijon analisti.

E më pas, podiumit të akuzave aspak elektorale (për formatin e zgjedhjeve vendore) i bashkëngjitet edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në kërkim të mandatit të tij të tretë duke u rrekur të rrëmojë në akuza historike.

“Partia që organizoi Gërdecin me djalin e Saliut dhe baxhanakun e Saliut e ka të pamundur sot të gjejë një kandidat nga Vora… Si mund të votosh për ata që na hodhën në erë”, deklaron ai. “Është shumë kollaj të dalësh te Presidenca e të bësh këto flatrat patriotike, por pyetja është çfarë ke bërë me veprat e tua, se nëse i ke shitur naftë Millosheviçit dhe nëse vazhdon financohesh nga rusët”.

Për Andonin, kjo tregon se Veliaj po merr argumente shtesë ndaj kundërshtarëve të tij, “që do t’i godasë me kauza historike dhe jo reale”.

“Arsyeja është se kauza e kontrabandës janë harruar sepse mungojnë dokumentacionet, paçka se janë të xhiruara shumë nga mjetet. Njerëzi e PD-së e mohojnë dukshëm dhe tashmë e kanë relativizuar atë. Për fatin e tyre, drejtësia as nuk ka vepruar në këtë rast dhe kjo i bën të qetë”, vëren analisti për Albanian Post.

Për ekspertë të ndryshëm të ekonomisë, ajo që bie në sy është se si opozita ashtu edhe mazhoranca po bëjnë premtime që nuk janë edhe aq “lokale”.

Kjo, në një kohë kur protagonizëm kryesor duhet të kishin politikat lokale.

“Votuesi shqiptar do t’ia japë përgjigjen me abstenimin masiv. Parashikoj pjesëmarrje të ulët. Përveç militantëve, pjesa tjetër e publikut është krejt indiferente dhe mbi të gjitha nuk e gjen veten. Nga ana tjetër, nuk shikoj këshillime dhe konsultime për këshilltarë, që do t’i bënte partitë më të afërta me njerëzit. Për të mos thënë që partitë kryesore as nuk i vlerësojnë realisht njerëzit”, mendon Andoni në artikulimin e tij përmbyllës.

E ndërsa kandidatët ecin kalamendas në këtë prag fushate zgjedhore, marramendja nuk është aq politike sa është e padepërtueshme për qytetarin e thjeshtë.

Edhe kur nuk votohet për kryeministër, protagonizmi e bën të duket sikur listat e këshillit bashkiak janë ekipet e ardhshme ministrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore