Shqipëria

Ka nisur procedura për zëvendësimin e ambasadores Kim, thotë MEPJ-ja


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur procedura për zëvendësimin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekulim mbi ‘heshtjen’ e MEPJ-së, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht”, vëren njoftimi i diplomacisë shqiptare.

Sipas tyre, për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk i mundëson të bëjnë komente.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020.

Ajo ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.

Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Mandatet e saj jashtë SHBA-ve përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën.

Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore