Sport

Juventus-i dhe Real-i projektojnë shkëmbimin e qendërmbrojtësave


Merkato e verës pritet të jetë më e nxehtë në transferime. Në mediat spanjolle dhe ato italiane po flitet ditët e fundit për një shkëmbim të mundshëm midis Real Madrid-it dhe Juventus-it. Raphael Varane dhe Merih Demiral-i, mund të ndryshojnë ambiente.

Qendërmbrojtësi i Real-it edhe në verën e shkuar u përfol për një largim të mundshëm nga galaktikët. Në Madrid ka që nga 2011, kohë kur u transferua nga Lens-i, për shifrën e 11 milionë eurove.

Aktualisht vlera në treg e francezit është 70 milionë euro, por duke parë që është një vit larg mbarimit të kontratës, kjo vlerë mund të ulet ndjeshëm.

Varane tek Real-i ka 348 paraqitje, nga ku ka shënuar 17 gola dhe shtatë asiste. 18 trofe ka fituar 27-vjeçari me Los Blancos. Katër Liga të Kampionëve, tre La Liga, një Kupë të Spanjës, tre Superkupa të Spanjës, tre Superkupa të Europës dhe katër Botërore Klubesh.

Në krahun tjetër, Demiral-i është një lojtar i ri vetëm 22-vjeç. Ish lojtari i Sassuolo-s, Sporting-ut dhe Alanyaspor-it po bën paraqitje shumë të mira me Juventus-in.

I transferuar nga Sassuolo në 2019, për shifrën e 18 milionë eurove, aktualisht kartoni i tij kushton 40-50 milionë euro dhe është nën kontratë deri në 2024.

Me bardhezinjtë turku numëron 25 paraqitje, nga ku ka shënuar një gol dhe dy asiste. Një trofe të Serisë A dhe një Superkupë të Italisë ka fituar në Torino.

Duke parë dëshiren e Varane-s, për të ndryshuar ambient, si dhe duke parë edhe minutat e kufizuara që ka Demiral-i në Torino, një lëvizje e till bëhet dhe më e mundshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore