Sport

Juventus, blitz për Mandzukic-in e ri


Trajnerit të Juventus-it, Massimiliano Allegri-t, i mungon profili i lojtarit “luftëtar”. Një profil që ai e gjeti më së miri në të shkuarën te, Mario Mandzukic-i.

Tashmë që kroati është pensionuar nga futbolli, Allegri kërkon me doemos zëvendësuesin e tij. Duke qenë se një klon i “Super Mario” nuk ekziston, livornezi po shqyrton alternativat.

Faktikisht, Allegri duket se e ka piketuar “luftëtarin e ri” dhe drejtori sportiv, Federico Cherubini, ka një pistë të re në dorë. Bëhet fjalë për sulmuesin e Valencia-s, Maxi Gomez-in, raporton torinezja “Tuttosport”.

Numri “9”, i ashpër, fizik, shpërthyes dhe i aftë në lojën në ajër, duket se plotëson kërkesat e Max-it. Ai nuk është sulmuesi që premton gola, por është sulmuesi që mund të mbështetesh kur je në vështirësi.

Gomez-i do të krijonte më shumë alternativa në sulmin e “Zonjës së Vjetër” dhe më shumë hapësira për Alvrao Morata-n dhe Paulo Dybala, në mënyrë që të sulmojnë portën kundërshtare.

Në ndeshjen e kaluar, ku Valencia humbi 4-1 përballë Real Madrid-it, Juventus-i kishte dërguar njerëz për ta vëzhguar uruguajanin.

Juventus-i kërkon të kënaq Allegri-n me transferimin e Gomez-it. Por, nga ana tjetër, ata nuk do të bëjnë sforco të madhe. Bardhezinjtë e kërkojnë në huazim gjashtë mujor pa detyrim blerje në fund të sezonit.

Për Gomez-in ka interesim dhe nga disa klube angleze. Valencia do të ketë në dorë gjithçka, pasi vetë lojtari duket se e preferon kalimin në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore