Lajme

“Ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time”, Kurti ia kërkon ambasadores së Luksemburgut në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorja e Luksemburgut në Kosovë Natacha Gomes, në Ditën Kombëtare të Luksemburgut të organizuar në Kosovë

“E di që Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Bashkimin Evropian. Jemi në prag të rritjes së pagës minimale në Kosovë”, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Kombëtare të Luksemburgut të organizuar në Kosovë për ditëlindjen zyrtare të Dukës së Madh, thuhet në njoftimin për medie të zyrës së kryeministrit.

Por në këtë takim kryeministri pati një kërkesë shumë specifike për ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes.

“Prandaj, në ditët dhe javët në vijim, ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time”, ka thënë Kurti.

Pas kësaj kërkese të çuditshme, kryeministri kosovar shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar vazhdimisht nga Luksemburgu, në pritjen e organizuar për Ditëlindjen Zyrtare të Dukës së Madh.

“Nuk do ta harrojmë kurrë guximin e Luksemburgut për të vepruar në mbrojtje të së drejtës sonë për jetë dhe liri. Luksemburgu ishte gjithashtu një nga të parët që mbështeti pavarësinë e shtetit tonë. Dhe gjatë këtyre dekadave, u kthye në partnerin dhe mikun tonë afatgjatë, tha Kurti në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë.

Ai u falënderua veçanërisht për kontributin e dhënë në zhvillimin e Kosovës, mbështetjen për udhëtim pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbështetjen për perspektivën tonë për integrim evropian.

Kryeministri ritheksoi vullnetin e qeverisë për të forcuar më tej lidhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm me Luksemburgun.

“Ne mbetemi të përkushtuar dhe po punojmë vazhdimisht së bashku për të mbajtur të forta lidhjet tona dhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë”, ka përfunduar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore