Lajme

Joseph: Vuçiç ka synime të dëmshme ndaj Kosovës – po mohon detyrimet e marrëveshjes


Edward Joseph

Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph, është shprehur se Serbia nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiç-it ka synime të dëmshme ndaj disa vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Serbia nën Vuçiç-in ka ambicie dhe synime negative ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës. Presidenti Vuçiç po sinjalizon se nuk po heq dorë nga Kosova dhe nuk e di pse dikush do ta thoshte këtë”, tha Joseph për median malazeze Gradska.

Tutje, ai shtoi se Vuçiç e ka pranuar marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes ët Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por thotë se problemi qëndron tek zbatueshmëria e saj.

“Ai e ka pranuar këtë marrëveshje, por tashmë po e cenon duke mohuar se ka detyrime të caktuara, duke deklaruar hapur se nuk do t’i zbatojë as disa prej tyre. Në vend që të inkurajojë serbët që ta mbështesin marrëveshjen, ai u thotë atyre se marrëveshja është e keqe. Ai tha: ‘Mirë është që të paktën të mos luftojmë me shqiptarët, por gjithçka tjetër është një punë e keqe’”.

E, duke pasur parasysh këto deklarime të presidentit serb, profesori thotë se duhet angazhim i vendeve perëndimore për të shtyrë përpara këtë çështje, pasi që ai konsideron që edhe këto vende kanë përgjegjësi për zbatueshmerinë e marrëveshjes.

“Tani është në dorën e SHBA-së dhe BE-së. Kjo është pika ime. Kjo është e gjithë çështja këtu, se janë SHBA-të dhe BE-ja që tani kanë detyrimin. Besueshmëria e tyre është në rrezik. Dhe (Josep) Borrell dhe (Miroslav) Lajçak, (Gabriel) Escobar dhe të tjerë, nuk mund të mbështeten më në fjalinë se ‘është përgjegjësi e palëve’”.

Ndërsa, ai komenton edhe deklaratën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili thotë se “ne jemi vetëm një lehtësues”, por Joseph thotë ndryshe.

“Kjo nuk është më e vërtetë. BE-ja nuk është më vetëm një lehtësues apo ndërmjetësues. BE-ja është bashkëpronar. SHBA-të janë një bashkëpronar. BE-ja ka detyrime specifike sipas marrëveshjes dhe ajo duhet të përforcohet dhe t’i përmbushë ato role, dhe po ashtu edhe SHBA-ja, dhe ato nuk mund të thonë thjesht, ‘Oh, kjo varet nga palët’”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore