Sport

Jorginho për transferimin në Arsenal: Arteta më bindi


Kampioni aktual i Evropës me Italinë, Jorginho, bëri një lëvizje interesante duke u transferuar nga Chelsea te rivali i tyre lokal, Arsenal.

Mesfushori 31-vjeçar e përfundoi këtë lëvizje për shumën e 11.3 milionë eurove, derisa në prezantimin e tij tregoi arsyet pse zgjodhi “Topçinjtë”.

“Arteta ishte përpjekur edhe më parë të më transferonte, por kjo nuk ndodhi për disa arsye të ndryshme. Kështu që ai ka ndikim të madh pse unë zgjodha Arsenal-in”, tha fillimisht futbollisti italian.

“Ai është duke e bërë një punë të madhe dhe dua që edhe unë të jem pjesë e projektit të tij”, shtoi mesfushori.

Jorginho më tej tha se u befasua që Arsenal-i ishte i interesuar për të dhe mezi pret ta nisë aventurën me “Topçinjtë”.

“Të them të drejtën në fillim u befasova, por nuk u mendova dy herë. Arsenal është një klub i rëndësishëm dhe mezi pres të luaj këtu”, thekson mesfushori me origjinë braziliane.

Kujtojmë që Jorginho ishte pjesë e Chelsea-t që nga vera e vitit 2018, kur u transferua nga Napoli për shumën e 58 milionë eurove.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur 213 paraqitje me blutë e Londrës, prej të cilave ka shënuar 29 gola dhe ka dhuruar nëntë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore