Lajme

Vuçiç kërkon falje pasi i quajti sllovenët “të neveritshëm”


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kërkoi falje për deklaratën e tij, ku i quajti sllovenët “të neveritshëm”.

Ai sqaroi i referohej vetëm politikanëve të tyre.

“Nëse kam ofenduar dikë, dua t’i kërkoj falje gjithë publikut slloven, dhe në të njëjtën kohë, dua të them se nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë sepse ata ndjekin një politikë të neveritshme ndaj Serbisë,” tha Vuçiç në New York.

Ai sulmoi Slloveninë, një anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Kjo duke i akuzuar ata se, ishin pjesë e një “organizimi” me SHBA-të dhe Zvicrën për të lejuar delegacionin e Kosovës të sjellë të mbijetuarat e përdhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në seancë, një lëvizje që ngjalli zemërim te delegacioni serb.

“Është e vështirë të thuhet se kush ishte më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiç në fillim të kësaj jave.

Vërejtjet shkaktuan një qortim të shpejtë nga Lubjana zyrtare.

Ministrja e Jashtme, Tanja Fajon, i quajti ato “një fyerje për të gjithë kombin tonë” dhe thirri të ngarkuarin me punë të Serbisë.

“Mesazhi nuk është i përshtatshëm për një vend që përsërit përkushtimin dhe përkatësinë e tij ndaj vlerave evropiane, të cilat i thekson në procesin e negociatave për anëtarësim në BE”, tha ajo.

Kryeministri slloven, Robert Golob, tha se “deklaratat e Vuçiçit na kujtojnë një kohë tjetër dhe nuk janë të denja për marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Vuçiç pranoi se ai i quajti sllovenët “të neveritshëm”, por këmbënguli se ai “i referohej seancës së Këshillit të Sigurimit”.

Ai tha se kishte shumë miq në Slloveni, por do të “ulte” vizitat e tij në vend dhe ftoi Golob dhe presidentin slloven në Beograd për një diskutim ballë për ballë.

Marrë nga “Politico”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore