Lajme

John Deere zbulon traktorin e automatizuar


John Deere, prodhuesi i pajisjeve bujqësore, ka zbuluar traktorin e vet të parë të automatizuar që mund të punojë një fushë pa praninë e shoferit.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se makina e rëndë mund të aktivizohet nga një telefon inteligjent, duke përdorur kamera dhe sensorë për të vepruar në tokën bujqësore.

E veçanta është se automatizimi vjen si një komplet funksionesh që mund të shtohen në disa traktorë ekzistues.

John Deere ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë kompletin drejtpërdrejt dhe po shqyrton një model qiraje ose abonimi.

Ndërkaq, nuk është kompania e parë që shfaq teknologjinë e automatizuar të traktorëve, por është ndër prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve bujqësore në botë.

Lidhur me kompletin, ai përdor gjashtë kamera për të monitoruar rrethinën, duke përdorur mësimin makinerik për të zbuluar objektet dhe për të shmangur përplasjet.

Por siguria mbetet shqetësim kryesor. Kjo pasi shumica e lëndimeve n[për ferma shkaktohen nga pajisjet e rënda.

Në Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat nga Ekzekutivi i Shëndetit dhe Sigurisë tregojnë se goditja nga një automjet në lëvizje ishte shkaku më i zakonshëm i lëndimeve fatale në bujqësi, pylltari dhe peshkim në vitet 2020-2021.

“BBC” dallon se bujqësia mbetet shumë më e rrezikshme se sektorët e tjerë të punësimit.

Kompania ka treguar se e ka testuar teknologjinë për tre vjet përpara zbulimit të saj zyrtar, duke përfshirë edhe testimin në fermat e botës reale.

Sipas John Deere, parashikohet një lancim “me vëllim të ulët” i teknologjisë së re, duke shitur vetëm 12 deri në 20 makina këtë vit.

Më parë, kompania ka qenë nën kritika për zhvillimet e saj teknologjie, për të cilat disa fermerë kanë argumentuar se e bëjnë shumë më të vështirë riparimin e pajisjeve të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore