Lajme

Jeremiç: “Plani evropian çon në shfuqizimin e Republikës Srpska – hyrjen e Serbisë në NATO”


Vuk Jeremiç

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiç, është shprehur këtë të premte se zbatimi i planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, tanimë i pranuar nga Kosova dhe Serbia, fillimisht në Bruksel, dhe i përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, “çon pashmangshmërisht në kërkesat për shfuqizimin e Republikës Srpska (etniteti serb në Bosnje e Hercegovinë) dhe hyrjen e Serbisë në NATO në vitet e ardhshme”.

Jeremiç ka deklaruar se refuzimi i planit evropian, dhe kjo sipas tij duhet të bëhet më referendum është “e vetmja mënyrë që Serbia të mbrojë interesat e saj kombëtare”.

“Nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryen tradhti të lartë në Kosovë, Perëndimi do t’i kërkojë atij që të pajtohet me shpërbërjen e RS-së, dhe në fund të fundit, që Serbia të anëtarësohet në NATO. Ai do të duhet të pajtohet me gjithçka që i kërkojnë, sepse është shantazhuar dhe nuk ka ku të shkojë, sepse ai e di se do të jetë i lirë vetëm derisa të jetë në pushtet”, tha ai, transmeton media opozitare serbe Nova.

Ndërkaq, ai tha se Vuçiç “duhet të ndalohet për të mos zbatuar planin”, pasi që siç tha ai “ka për qëllim që Serbia ta pranonte pavarësinë e Kosovës dhe t’i mundësonte asaj anëtarësimin në OKB”.

“Nëse Kosova hyn në OKB, askush nuk do të mund ta largojë prej andej dhe Shqipëria e Madhe do të krijohej pas disa vitesh me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, pretendon ai.

Ndryshe, kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiç, kishte deklaruar me 25 mars se asgjë nuk ka mbaruar për Kosovën, sepse plani franko-gjerman ende nuk është nënshkruar dhe as nuk është i detyrueshëm për askënd, përveç presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili është angazhuar verbalisht për të.

Siç është raportuar nga Partia Popullore Serbe, Jeremiç ka thënë në forumin në Nish se një referendum mbi atë plan është “e vetmja mënyrë për të parandaluar tradhtinë e lartë”.

“Vuçiç verbalisht u pajtua me planin, u angazhua dhe është garant personal i zbatimit të marrëveshjes. Ai nuk ka rrugë kthimi, por Serbia ka. Kur bëhet një pyetje e thjeshtë – a jeni për pranimin e planit sipas të cilit Kosova e vetëshpallur fiton atributet e një shteti të pavarur apo jeni kundër tij, shumica dërrmuese e popullit do të jetë kundër dhe regjimi nuk do të jetë në gjendje të vjedhë rezultatet e referendumit”, tha Jeremiç.

Ai ka theksuar se kushdo që thotë “gjithçka ka mbaruar dhe nuk ka më kthim, nuk thotë të vërtetën”.

“Ne kemi disa muaj për të ndaluar, parandaluar dhe anuluar atë që Vuçiç u angazhua në muajin e fundit”, tha Jeremiç.

Partia e Jeremiç për këtë arsye ka ndërmarrë një iniciativë për shpalljen e një referendumi, “në mënyrë që njerëzit të vendosin nëse janë në favor të pranimit të planit me të cilin Kosova bëhet një aktor ndërkombëtar i barabartë me Serbinë, apo nëse janë në favor të refuzimit të këtij plani”.

Jeremiç do referendum për planin franko-gjerman: Veç kështu ndalet tradhtia e Vuçiç-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore