Lajme

Jashari: Grevë një orëshe me 12 maj, për të mos hyrë në grevë gjenerale


Rrahman Jahari, Kryetar i Sindikatës ë Arsimit në Kosovë

Të gjitha institucionet arsimore, duke përfshirë edhe institucionet parashkollore – kopshtet- do të mbajnë grevë një orëshe më datën 12 maj.

Kështu ka treguar për Albanian Post, Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, duke shtuar se kjo është një shenjë revolte për shkak të mos përmbushjes së kërkesave të tyre nga Qeveria e Kosovës.

“Po, do të shkojmë në grevë dhe ky vendim është marrë edhe në kuadër të BSPK-së, pra krejt federata. Është aprovuar edhe nga Këshilli Drejtues i SBASH-ut. Me 12 maj do të jetë grevë një orëshe, në të dy ndërrimet në tërë sektorin e arsimit”, ka treguar Rrahman Jashari.

Sipas Jasharit, greva është planifikuar të mbahet në orën e parë të mësimit në të gjitha shkollat anë e mbanë vendit.

“Në të dy ndërrimet e mësimit, në orën e parë, varësisht se në sa ora fillon mësimi, sepse disa institucione arsimore fillojnë në 7:30 e disa në 8:00. Ora e parë e punës, ora e parë e mësimit do të jetë grevë”.

Ndërsa për kopshtet dhe parahkollorët, Jashari thotë se i janë bashkuar grevës edhe pse SBASHK i ka lutur që të mos marrin pjesë.

“Ne kemi insistuar që ata të mos jenë pjesëmarrës në grevën një orëshe, ne i kemi lutur që të mos hyjnë në grevë me ne sepse ne do t’i mbrojmë dhe do t’i mbështesim edhe kërkesat e tyre, por ata janë kategorik që të jenë në grevë. Pra dhe çerdhet në tërë Republikën e Kosovës”.

Mënyra e grevë në kopshte do të jetë duke mos pranuar fëmijët për një orë.

“Çerdhet, nëse ata fillojnë punë nga ora 7:00 për të pranuar fëmijët, ata nga ora 7:00 deri në ora 8:00 do ta kenë grevë. Pra nuk i pranojnë fëmijët në këtë periudhë kohore, gjatë grevës një orëshe, pastaj nga ora 8:00 i pranojnë si zakonisht”, ka shpjeguar Jashari për AP.

Shkqet që duan deri te kjo formë sindikale, vazhdon të mbetet e njëjta.

Kryetari i SBASHK-ut thotë se për më shumë se tre javë nga takimi i fundit i kryetarit të BSPK-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ky i fundit nuk ka reflektuar, “nuk u pa asnjë lëvizje pozitive, asnjë takim përmbajtjesor dhe kjo na ka bërë që në mungesë të dialogut, në mungesë të gatishmërisë së qeverisë për t’u përgjigjur në kërkesat tona që të kemi një ngritje page prej 100 euro dhe jo vetëm për këtë muajin prill siç e kishim por ehe për muajt tjerë, deri sa të filloj të implementohet ligji i pagave”.

Dhe kërkesë kyqe e mësimdhënëse është “që të jemi të inkuadruar në ekipet që punojnë në ligjin e pagave në mënyrë që edhe ne ta themi mendimin tonë dhe ta mbrojmë versionin tonë që e kemi të argumentuar dhe që e kemi dërguar në MASHT”, thotë Jashari.

Por, greva e 12 majit nuk është masa sindikale e vetme që ka planifikuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Ne po përgatitemi edhe për 20 majin, ku do të jetë një protestë me pjesëmarrje masive nga të gjitha sindikatat në kuadër të BSPK-së”, tregon Jashari.

“Do të jetë sikur ajo protesta e 8 prillit që i kemi bërë qeverisë”, ka shpjeguar kryetari i SBASHK-ut, “por kjo protestë do të jetë me pjesëmarrje shumë më masive, krahasuar me atë të 8 prillit”.

“Kërkesat do të jenë të njëjta dhe do ti bëjmë publik edhe para Qeverisë me qëllimin më të madh që mbase kjo protestë masive të ndikoj që qeveria të ulet të bisedoj dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”.

Kryetari i SBASHK-ut thotë se të gjitha këto po i bëjnë për të bërë qeverinë të reflektoj pa pasur nevojë që të hyjnë në grevë të madhe.

“Të gjitha këto po i bëjmë me të vetmin qëllim që të mos shkohet ne grevën gjeneralë apo të përgjithshme për të dëmtuar procesin mësimor. Por edhe nëse greva e 12 majit dhe protesta e 20 majit nuk ndikon që qeveria të reflektoj dhe të ulet e të bisedojë, e të sjellë vendime për të realizuar kërkesat tona, atëherë kam frikë se sistemi arsimor po shkon drejt një greve gjenerale të cilën ne po presim që të mos ndodhë duke i dhënë hapësirë dialogut”.

“Por, kam frikë se jemi nisur drejt kësaj rruge dhe ky nuk është lajm i mirë”, ka paralajmëruar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore