Lajme

Japonia në prag të mosfunksionimit shoqëror nga ulja e lindjeve


Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, deklaroi se vendi i tij është në prag të mos funksionimit të shoqërisë për shkak të rënies së nivelit të lindjeve.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Për kreun e qeverisë japoneze ky ishte një rast “tani ose kurrë”.

Japonia – 125 milionë banorë – vlerësohet të ketë pasur më pak se 800 mijë lindje vitin e kaluar.

Në vitet 1970, kjo shifër ishte më shumë se dy milionë.

Shkalla e lindjeve po ngadalësohet në shumë vende, duke përfshirë fqinjët e Japonisë.

Por çështja është veçanërisht e mprehtë në Japoni pasi jetëgjatësia është rritur në dekadat e fundit.

Kjo do të thotë se ka një numër në rritje të të moshuarve dhe një numër në rënie të punëtorëve për t’i mbështetur ata.

Japonia tani ka përqindjen e dytë më të lartë në botë të njerëzve të moshës 65 vjeç e lart – rreth 28 për qind – pas shtetit të vogël të Monakos, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Kishida tha se përfundimisht dëshiron që qeveria të dyfishojë shpenzimet e saj për programet që lidhen me fëmijët.

Një agjenci e re qeveritare për t’u fokusuar në këtë çështje do të ngrihet në prill, shtoi ai.

Megjithatë, qeveritë japoneze janë përpjekur të promovojnë strategji të ngjashme më parë, pa sukses.

Në vitin 2020, studiuesit parashikuan që popullsia e Japonisë të bjerë nga kulmi prej 128 milionë në 2017 në më pak se 53 milionë deri në fund të shekullit.

Javën e kaluar, Kina raportoi rënien e saj të parë të popullsisë në 60 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore