Lajme

Japonia mund të kërkojë shpërbërjen e kishës së Unifikimit pas vrasjes së Shinzo Abe


Qeveria e Japonisë mund të kërkojë nga gjykatat që të urdhërojnë shpërbërjen e kishës së Unifikimit pas vrasjes në korrik të vitit të kaluar të ish-kryeministrit Shinzo Abe.

Kisha, anëtarët e së cilës njihen si Moonies, mund t’i nënshtrohet një urdhri gjykate për t’u shpërbërë që në fillim të muajit të ardhshëm, në pritje të përfundimit të një hetimi mbi aktivitetet e diskutueshme të grumbullimit të fondeve të grupit.

Një media lokale ka cituar burime të paidentifikuara të thoshin se qeveria ka arritur në përfundimin se shpërbërja do të ishte e përshtatshme duke pasur parasysh se kisha ishte përfshirë në aktivitete “të mbrapshta, të organizuara dhe të vazhdueshme”.

Aktivitete të cilat, tejkalonin konsideratat e lirive fetare të sanksionuara në kushtetutë.

Referuar ligjit japonez të korporatave fetare, një gjykatë mund të lëshojë një urdhër shpërbërjeje nëse një organizatë ka kryer veprime që “duken qartë se janë thelbësisht të dëmshme për mirëqenien publike”.

Grupeve që shpërbëhen u hiqet statusi i tyre si një korporatë fetare, duke humbur përjashtimin nga taksat e korporatave dhe pronës, si dhe një taksë mbi të ardhurat nga ofertat monetare.

Por mund të funksionojë në një mishërim të ri.

Pasi humbi statusin e tij si një ent ligjor fetar në fund të vitit 1995, kulti i Aum Doomsday e quajti veten Aleph dhe vazhdon të rekrutojë anëtarë dhe të kërkojë donacione, sipas Ministrisë së Drejtësisë.

Qeveria ka hetuar kishën mbi aktivitetet e saj për mbledhjen e fondeve, ndërkohë që po luftonte një skandal mbi lidhjet e grupit me politikanët japonezë, veçanërisht anëtarët e partisë Liberal Demokratike (LDP) në pushtet.

Kryeministri Fumio Kishida sakaq, mund të shpresojë se masa do të shuajë kritikat për lidhjet e partisë së tij me kishën.

Në muajt pas vdekjes së Abe, media zbuloi prova se politikanët e LDP-së – dhe një numër shumë më i vogël deputetësh të opozitës – kishin lidhje me grupin, nga mbajtja e fjalimeve në ngjarjet e sponsorizuara nga kisha e deri te thirrja e ndjekësve për të punuar në fushatat zgjedhore.

Disa anëtarë të partisë së Kishidës thuhet se kanë paralajmëruar kundër shpërbërjes, megjithatë, nga frika se qeveria mund të akuzohet për shkeljen e lirive fetare.

Abe, gjyshi i të cilit, ish-kryeministri Nobusuke Kishi, ndihmoi kishën ultra-konservatore të vendoste një prani në Japoni në vitet 1960, u qëllua për vdekje në korrik 2022 nga një burrë që ka thënë se kishte mëri kundër kishës së Unifikimit dhe Abe.

I dyshuari, Tetsuya Yamagami, gjyqi i të cilit për vrasje dhe akuza të tjera nuk pritet të fillojë deri në vitin e ardhshëm, thuhet se i ka thënë policisë se ai kishte në shënjestër politikanin, të cilin e qëlloi nga afër me një armë të bërë vetë në një tubim zgjedhor, për shkak të lidhjeve të familjes së tij me Moonies.

Yamagami, i cili iu nënshtrua një vlerësimi psikiatrik që zgjati disa muaj, ka thënë se fajësoi kishën për falimentimin e familjes së tij pasi nëna e tij, një anëtare, dhuroi më shumë se 100 milionë jen për grupin dy dekada më parë.

Abe nuk ishte anëtar, por dërgoi një video-mesazh urimi te një filial i kishës në fund të vitit 2021, në të cilin tha se ndante besimin e tij në vlerat tradicionale të familjes.

Dëshmitë e ish-anëtarëve, vendimet e gjykatës në paditë civile dhe dokumentet e kishës treguan se grupi kërkonte donacione të mëdha financiare nëpërmjet “shitjeve shpirtërore”, në të cilat ndjekësit u nënshtrohen presioneve për të blerë sende me çmime të tepruara.

E themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 nga mesia i vetëshpallur Sun Myung Moon, kisha ka krijuar një prani globale, me Japoninë që provon terren pjellor për të konvertuarit dhe donacionet e tyre.

Grupi pretendon se ka 100 mijë besimtarë aktivë në Japoni dhe ka mbledhur gati 1 miliard dollarë donacione që nga viti 1987 dhe ka gjeneruar 35 mijë kërkesa për kompensim, sipas Rrjetit Kombëtar të Avokatëve Kundër Shitjeve Shpirtërore.

Ky i fundit përfaqëson njerëzit që pretendojnë se kanë pësuar dëme financiare për shkak të kishës.

Japonia ka rreth 180 mijë organizata fetare të regjistruara, por vetëm dy kanë marrë urdhra shpërbërjeje.

Lidhja e kishës me vasjen e Shinzo Abe

“Ishte viti 1974″.

“Asokohe isha student. Ndodhesha në një moment krize sepse e dashura sapo më kishte lënë”.

“Një ditë, në një kafene, mu afruan tre japoneze dhe filluam të bisedonim”.

“Prej aty nisi gjithçka”.

Steven Hassan ka rrëfyer për të përditshmen italiane “La Stampa” se si u bë ndjekës i Kishës së Unifikimit, ku përfshihet edhe nëna e vrasësit të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

Tani, amerikani është konsulent i shëndetit mendor i specializuar në kontrollin e mendjes dhe kultet shkatërruese.

Por për t’u larguar nga ajo organizatë fetare që i kishte “shpëlarë trurin”, u desh një aksident që për pak i kushtoi jetën.

“Isha bërë rekrutues. Punoja shtatë ditë në javë dhe flija tre ose katër orë. Në vitin 1976 shpëtova për mrekulli nga një aksident me furgon. Pak nga pak e kuptova se çfarë më kishte ndodhur dhe në çfarë situate u përfshiva”, ka thënë ai.

Nga hetimet, mori formë lidhja midis organizatës fetare dhe vrasjes së Abe.

Përmes një konference, zëdhënësi i Kishës së Unifikimit Tomihiro Tanaka, konfirmoi se nëna e vrasësit Tetsuya Yamagami është një nga ndjekëset e veta.

Ajo ishte bashkuar me Kishën në vitin 1998, e kishte lënë atë ndërmjet viteve 2009 dhe 2017 dhe ishte bashkuar sërish në tre vitet e fundit, duke ndjekur shërbimet një herë në muaj.

Djali ishte plot mllef për organizatën. E gjitha vinte prej një “dhurimi të madh” të bërë nga nëna e tij. Një donacion që e la gruan n[ mes të katër rrugëve, siç ka deklaruar Yamagami gjatë marrjes në pyetje në polici.

“Të vejave u afrohen anëtarët e kultit dhe u thonë se të dashurit e tyre të vdekur janë të mbërthyer në një nivel të ulët të botës shpirtërore dhe se ata duhet t’i japin para organizatës për t’i ndihmuar të ngrihen në nivel”, ka treguar Hassan.

Një argument ky, që zë një vend të veçantë në Japoni, ku kulti i paraardhësve është shumë i fortë.

“Dhjetëra mijëra e kanë bërë atë”, ka thënë Hassan.

Mirëpo, Kisha e Unifikimit nuk i ka rrënjët vetëm në Japoni. Ajo u themelua në vitin 1954 në Korenë e Jugut nga Sun Myung Moon, të cilin ndjekësit e quajtën “Mesia”.

Moon arriti ta çojë kultin e tij fillimisht në Japoni dhe më pas edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tanimë, sipas vetë organizatës, numërohen 600 mijë anëtarë në Japoni dhe 10 milionë në mbarë botën.

Arritje edhe falë Nobusuke Kishi-t, gjyshit të Abe. Si një ish-kryeministër, ai krijoi një lidhje me Moon në vitet 1960 bazuar në idetë e përbashkëta antikomuniste.

Familja është e lidhur me organizatën nga një perspektivë ultra-konservatore.

Një lidhje e mbajtur edhe nga babai Shintaro Abe dhe nga vetë Shinzo, i cili foli përmes një videomesazhi në aktivitetin vjetor të Kishës së Unifikimit më 12 shtator 2021.

Në të mori pjesë edhe Donald Trump.

Sipas Hassan-in, lidhja me konservatorët amerikanë ka qenë gjithmonë shumë e fortë.

“Kisha ka mbështetur politikisht dhe ekonomikisht figura të ndryshme politike amerikane, nga Richard Nixon te Donald Trump, përmes Mike Pompeo dhe Mike Pence”, ka shtuar ai.

Pas vdekjes së themeluesit, Kisha e Unifikimit përjetoi një lloj përçarjeje.

Nga njëra anë e veja, nga ana tjetër dy djemtë që marrin drejtimin e sektit, me të miturën që zotëron edhe një fabrikë armësh në SHBA.

Një organizatë me shumë degë dhe mbi të gjitha me ndikim.

Për disa ditë lidhej edhe me vrasjen e kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë pas luftës.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore