Lajme

Japoni/ Për herë të parë në 67 vjet, anulohet Motor Show në Tokio


Motor Show në Tokio është anuluar për herë të parë në historinë e tij 67-vjeçare, për shkak të rritjes së rasteve të coronavirusit.

Anulimi i ngjarjes vjen në një kohë që organizatorët e Lojërave Olimpike Verore vijojnë me planet e tyre.

Kjo vjen ndërkohë që Japonia pritet të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme për Tokio-n, Osaka-n dhe dy prefekturat e tjera nga 25 prilli deri më 11 maj.

Japonia po përballet me një rritje të rasteve të Covid-19, të nxitura nga variante më infektive të virusit.

Motor Show në Tokio, i cili filloi në 1954 dhe mbahet zakonisht çdo dy vjet, ishte planifikuar të organizohej në tetor.

Ngjarja e fundit, e cila u zhvillua në 2019, tërhoqi rreth 1.3 milionë vizitorë, sipas Shoqatës së Prodhuesve të Automjeteve në Japoni.

Kryetari i organizatës Akio Toyoda, i cili është gjithashtu presidenti i prodhuesit më të madh të makinave japoneze, Toyota, tha se ngjarja u anulua sepse “është e vështirë të ofrosh programin tonë kryesor në një mjedis jo të sigurt”.

Organizatorët e shfaqjes gjithashtu thanë se, ndryshe nga ekspozitat e tjera të mëdha të industrisë që janë zhvendosur në internet gjatë pandemisë, nuk kishte plane për ta bërë një ngjarje virtuale.

Në Kinë këtë javë u zhvillua ekspozita e parë e madhe globale e makinave që nga fillimi i pandemisë.

Shfaqja më e madhe motorike e vendit, Auto Shanghai 2021, ishte i hapur për publikun, por me pjesëmarrësit që duhej të kryenin testet Covid-19 për të fituar hyrjen.

Përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore