Bota

Japoni, 10 vite pas tërmetit në Fukushima


Japonia ka përkujtuar 10-vjetorin e tërmetit, tsunamit dhe katastrofës bërthamore që goditi rajonin verilindor, Fukushima.

Tërmeti me magnitudë 9 ballë, që tronditi më 11 mars 2011, ishte një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë në 150 vitet e fundit.

Ai do të pasonte edhe me një tsunami masiv që shkaktoi dëme të jashtëzakonshme. Shumë qytete u shkatërruan, duke shkaktuar shkrirje të uzinës bërthamore Fukushima Daiichi.

Më shumë se 18 mijë njerëz vdiqën, kryesisht nga tsunami, dhe gati gjysmë milioni njerëz u zhvendosën.

Ditën e enjte, njerëzit, ndërsa mbanin buqeta, ecnin drejt bregdetit ose varreve në kujtim të të afërmve dhe miqve të larguar nga jeta prej tsunamit.

Perandori Naruhito dhe kryeministri Yoshihide Suga ishin mes atyre që mbajtën një moment heshtje në ceremoninë përkujtimore.

Edhe pse kanë kaluar 10 vjet, më shumë se 40 mijë njerëz nuk janë ende në gjendje të kthehen në shtëpi.

Rrugët, linjat e trenave dhe infrastruktura janë rimëkëmbur me koston e më shumë se 30 trilionë jen (280 miliardë dollarë).

Edhe pse nuk është konfirmuar asnjë vdekje direkt nga rrezatimi, Fukushima ka mbetur prapa në përpjekjet e rimëkëmbjes, për shkak të ndikimit të rrezatimit. Ka ende zona të ndaluara pranë impiantit të Fukushima Daiichi.

Ceremonia e së enjtes ka qenë e fundit në radhë për katastrofën e vitit 2011 të organizuar nga qeveria.

Dy javë më pas do të fillojë ndezja e pishtarit olimpik nga Fukushima përpara Lojërave Verore të Tokios, të cilat janë shtyrë për në muajin korrik.

Kryeministri Suga ka thënë se Lojërat Olimpike do të dëshmojnë për shërimin e Japonisë nga katastrofa dhe do të jetë prova e fitores njerëzore kundër pandemisë së koronavirusit.

Nga ana tjetër, disa të mbijetuar nga fatkeqësitë thonë se rikuperimi i tyre është vetëm në mes të procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore