Lajme

Janjiç: Përgjimi i publikuar mes Kusari-Lilës dhe Simiç-it s’i shkon për shtati Beogradit – është në favor të amerikanëve


Publicisti opozitar serb, Dushan Janjiç, ka komentuar për gazetën serbe Danas, përgjimet e publikuara në mes të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe atij të Listës Serbe, Slavko Simiç, duke deklaruar se ato nuk i konvenojnë Beogradit zyrtar e as Milan Radojiçiç-it, por më së shumti shkojnë në favor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Teorikisht, regjistrimi mund të kishte ardhur nga Beogradi, por mund të ishte përgjuar ose dorëzuar. E gjithë kjo në fund e diskrediton Milan Radojiçiç-in, nënkryetarin e Listës Serbe, që nuk besoj se i shkon për shtati Beogradit”, deklaroi Janjiç.

“Gjithsesi, gjithçka që ndodhi është në favor të amerikanëve, si mësim për ata që në mënyrë të ngathët përpiqen ta ndalin Marrëveshjen e Ohrit me përralla për demokracinë në Kosovë”, shtoi Janjiç.

Sipas aktivistit serb, dalja e përgjimeve në publik, ku dëgjohet Kusari-Lila tek koordinohet me Simiç-in dhe gjithashtu duke e pranuar se ka biseduar me kriminelin që kontrollon bandat në Veri, Milan Radojiçiç, shënon edhe fundin “e politikës së reciprocitetit në të cilën Beogradi dhe Prishtina marrin pjesë së bashku duke ngritur tensionet”.

Dushan Janjic

“Efekti i menjëhershëm u pa menjëherë – në parlamentin e Kosovës shpërtheu një përleshje, në të cilën më së keqi kaloi Besnik Beslimi, të cilit iu prish reputacioni si kryenegociator në dialogun me Beogradin”, shpjegon Janjiç.

Publikuar në tri pjesë, përgjimet nxjerrin në pah bashkëpunim të Qeverisë me Listën Serbe dhe njerëzit që e udhëheqin atë, duke rrëzuar kështu pretendimet e partisë në pushtet se ata nuk koordinohen me udhëheqësit politikë serbë të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore