Shqipëria

Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore, sipas Kushit


Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, ka vijuar takimet me maturantët e rretheve dy ditë para provimeve të Maturës Shtetërore.

Pas takimit me maturantët në Durrës, Kushi ka bashkëbiseduar edhe me maturantë e mësues të Elbasanit.

“Në mjediset e MAS zhvillova një takim edhe me maturantë dhe mësues nga Bashkia e Elbasanit, ku diskutuam rreth sfidave dhe pritshmërive të tyre në lidhje me provimet e Maturës Shtetërore 2022”, ka treguar ajo.

Ministrja, po ashtu, i ka siguruar maturantët se nga ana e institucioneve përgjegjëse janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit.

“Që nga hartimi i testeve e deri te vlerësimi me saktësi maksimale”, ka theksuar ajo.

Sakaq, ka falënderuar të gjithë mësuesit për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që po u japin maturantëve gjatë kësaj periudhe përgatitore.

Provimi i parë i Maturës Shtetërore 2022 do të jetë ai i gjuhës së huaj më datë 9 qershor dhe, më pas, provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 11 qershor.

Kurse provimi i matematikës do të zhvillohet më 17 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 24 qershor.

Provimet nisin në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin dy orë e 30 minuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore