Lajme

Izraeli, një milion doza vaksine në prag skadence për palestinezët


Zyrtarët në Izrael kanë deklaruar të premten e 18 qershorit se do të dërgojnë të paktën 1 milion vaksina anti-Covid tek Autoriteti Palestinez (PA), si pjesë e një marrëveshjeje për të ndarë dozat.

Vaksinat Pfizer-BioNTech, të cilat do të dorëzohen, janë afër datës së skadimit të tyre.

Sipas marrëveshjes, PA-ja i jep Izraelit një numër reciprok të dozave nga një prej dërgesave të veta që do të arrijë më vonë këtë vit.

Izraeli është përballur me kritika, se nuk ka bërë sa duhet për të ndihmuar përpjekjet e vaksinimit në territoret e okupuara.

Rreth 55% e izraelitëve kanë marrë të dyja dozat si pjesë e një fushate vaksinimi masiv, pasi vendi fitoi miliona doza të vaksinës Pfizer-BioNTech.

Sipas zyrtarëve, rreth 30% e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gaza kanë marrë të paktën një dozë vaksine.

Marrëveshja, që përfshinte 1.0-1.4 milionë doza, u njoftua nga zyra e kryeministrit të ri izraelit, Naftali Bennett, i cili u betua të dielën, duke zëvendësuar liderin historik Benjamin Netanyahu-n.

Nuk ishte ende e qartë se kur do të dërgoheshin dozat te palestinezët.

Qeveria e re, në një deklaratë, tha se Izraeli priste të merrte doza reciproke nga dërgesa Pfizer në Autoritetin Palestinez në shtator ose tetor.

Palestinezët tashmë kanë marrë doza vaksinash nga Izraeli, Rusia, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe iniciativa globale e ndarjes së vaksinave Covax.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kishin qenë kritikë ndaj dështimit të Izraelit, për të shtrirë plotësisht programin e tij të vaksinimit te palestinezët nën kontrollin e tij.

Vendi arriti një marrëveshje të veçantë me Pfizer-in, në të cilën siguroi të dhëna jetësore mjekësore në këmbim të një përhapje të shpejtë të vaksinës.

Izraelitët, nga ana tjetër, thanë se palestinezët ishin përgjegjës për menaxhimin e çështjeve shëndetësore në territoret e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore