Lajme

Italia sekuestron Shehrazaden, përrallën e lundrimeve të Putinit


Italia ka urdhëruar sekuestrimin e një jahti me vlerë 700 miliardë dollarë, i cili gjerësisht njihet me emrin Shehrazade dhe mendohet se është në pronësi indirekte të presidentit rus, Vladimir Putin.

Përralla lundruese e Putinit, prej muajsh gjendet në një port në rajonin e Toscana-s në Itali, pasi po riparohet.

Sipas Ministrisë italiane të Financave, pronari juridik i jahtit, ka lidhje shumë të ngushta me kreun e Kremlinit.

Arsyeja e sekuestrimit është ajo e sanksioneve të vazhdueshme ndaj eksponentëve të lartë rusë dhe njerëzve të lidhur me regjimin e Putinit.

Vetë gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”, shkruan se ka shumë gjasë që anija t’i përkasë vetë Putinit dhe jo njerëzve pranë tij.

Jahti 140 metra i gjatë është denoncuar më parë edhe nga kreu i opozitës ruse, Alexey Navalny, i cili momentalisht gjendet në burg, për akuza të përfitimeve të jashtëligjshme financiare.

Në brendësi të Shehrazades, gjenden dy platforma për ulje helikopterësh dhe një pishinë.

Shumë prej jahteve të sekuestruar nga Bashkimi Evropian apo SHBA-të, i përkasin oligarkëve rusë dhe janë ndër mjetet kryesore të pastrimit të parave të jashtëligjshme që mund të jenë fituar nga ana e tyre.

Po ashtu, vetë Putini mendohet se ka një numër të lartë jahtesh në zotërimin e tij, por jo në letër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore