Euro 2020

Italia, e para që kualifikohet në raundin tjetër, paraqitje tjetër e mrekullueshme


Italia po fiton, Italia po bind, Italia po dominon.

Skuadra e Roberto Mancini-t po tregohet e jashtëzakonshme, duke e nisur në mënyrë perfekte këtë EURO 2020.

Në dy ndeshje, ata kanë fituar dy herë, kanë shënuar gjashtë herë, e nuk kanë pësuar asnjëherë.

Ndeshja përballë Zvicrës, ishte e njëjta histori sikurse ajo përballë Turqisë.

Të kaltrit ishin shumë më të mirë se kundërshtari, duke dominuar tërësisht të gjithë 90 minuta.

Goli i Locatelli-t mbylli pjesën e parë me rezultat 1-0, por Zvicra ishin shumë me fat që rezultati nuk tregonte të paktën numrin tre për Italia.

Italia që jemi mësuar të mbrohej, e të kërkonte momentin e duhur për të sulmuar, tani nuk është më.

Kjo Itali sulmon, derisa e shkatërron tërësisht kundërshtarin.

Në pjesën e dytë, Italia kishte mundësi të shënonte më shumë se dy gola, por si duket u mjaftua me aq.

Dy gola të bukur, një nga Locatelli, që shënoi të dytin personal, dhe Immobile, që shënoi të dytin në këtë EURO, vulosën rezultatin përfundimtar, 3-0.

Locatelli bëhet mesfushori i parë italian që shënon dy gola në një ndeshje në një Evropian apo Botëror.

Ai, së bashku me Cristiano Ronaldo-n, Romelu Lukaku-n, Patrick Shick-un dhe Ciro Immobile-n, janë top-golashënuesit e këtij Evropiani deri tani, me nga dy gola.

Italia bëhet skuadra e parë që arrin kualifikimin në raundin tjetër, duke i bërë një favor edhe Uellsit.

Ky rezultat për uellsianët thuajse konfirmon kualifikimin edhe për ta.

Ndeshjet e fundit të Grupit A zhvillohen të dielën, më 20 qershor.

Italia përballet me Uellsin, ndërsa Zvicra me Turqinë, në përpjekje që të kualifikohet si një ndër vendet e treta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore