Lajme

Isufaj takon Wigermak, kërkohet nevoja për kapacitete shtesë në punën hetimore


Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të mërkurën ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, Lars-Gunnar Wigemark.

Isufaj ka vlerësuar si të rëndësishëm rolin e misionit të EULEX-it, në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore, me theks të veçantë të Prokurorisë Speciale.

“Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për nevojën e avancimit, bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në funksion të forcimit të sundimi të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, bëhet e ditur se Isufaj e ka njoftuar shefin e EULEX-it me punën e Prokurorisë Speciale.

“Gjithashtu, Kryeprokurori Isufaj, e ka njoftuar shefin e EULEX-it me punën e Prokurorisë Speciale, për sfidat dhe objektivat e këtij institucioni që kanë për qëllim fuqizimin e sistemit prokurorial dhe ngritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.

Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark

Sipas Isufaj, nxjerrja e strategjisë për riorganizimin e kësaj prokurorie, themelimi i departamenteve të veçantë dhe caktimi i prokurorëve nëpër këto departamente është i nevojshëm për ngritje të efikasitetit të punës  së kësaj prokurorie.

“Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë për ta avancuar punën e prokurorisë”.

Gjithashtu, Isufaj dhe Wigemark janë pajtuar për ta zhvilluar më tej bashkëpunimin ndër-institucional lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, personat e pagjetur dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Po ashtu, në një intervistë për Albanian Post, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se, “Peshqit e mëdhenj” duhet të arrestohen.

Nëse s’ndodh një gjë e tillë në Kosovë, atëherë njerëzit do të vazhdojnë të mendojnë se ekziston mundësia e pandeshkushmërisë”.

Por, pse s’po ndodh një gjë e tillë, shefi i EULEX-it e bën fajtor sistemin gjyqësor në Kosovë, por edhe ndikimet politike.

Përkundër kritikave për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ai konsideron që Vettingu duhet të jetë mjeti i fundit.

Ai mendon që fillimisht të shfrytëzohen procedurat dhe instrumentet ekzistuese ligjore, e nëse kërkohet të bëhet një procedurë e re, atëherë sipas tij duhet siguruar që po zbatohen standardet evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore