Sport

Ismet Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të FKK-së


Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK).

Dorëheqjen, Krasniqi, ia ka paraqitur Bordit Ekzekutiv të FKK-së, në mbledhjen e fundit.

Krasniqi ka thënë se arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me angazhimin e tij si president i KOK-ut.

“Për shkak të angazhimeve të shumta si president i KOK-ut, dhe pamundësisë për të dhënë maksimumin edhe në karate, kam dashur që t’i hapë rrugën të tjerëve për të udhëhequr me karatenë dhe vazhduar punën aty ku unë e kam lënë”, ka thënë Krasniqi.

“Falënderoj Bordin Ekzekutiv të FKK-së, sekretarin e përgjithshëm, Nazmi Gashi, karateistët, trajnerët, gjyqtarët dhe gjithë komunitetin e karatesë për përkrahjen dhe bashkëpunimin që kishim”, shtoi ai.

Kujtojmë që Krasniqi ishte kryetar i FKK-së që nga viti 2016.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore