Lajme

Ish-zëvendëskryeministrja e Malit të Zi: Zgjidhja e vetme për rajonin është njohja e Kosovës nga Serbia


Jovana Maroviç

Ish-zëvendëskryeministrja e Malit të Zi, Jovana Maroviç, në një intervistë për “Albanian Daily News”, tha se njohja e Kosovës nga Serbia është rruga e vetme për mbarë Ballkanin Perëndimor, por shtoi se kjo duhet të ndodhë me një kusht: mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe mbrojtjen e trashëgimisë së tyre kulturore.

Ajo theksoi se mënyra me të cilën Marrëveshja e Ohrit iu komunikua publikut në Kosovë dhe në Serbi është tejet problematike, ndërsa sa i përket ambiguitetit të marrëveshjes, përgjegjës e bëri Bashkimin Evropian si ndërmjetësues. Sipas saj, duhej të qartësohej se çfarë nënkupton konkretisht kjo marrëveshje.

“Mënyra se si i komunikohet marrëveshja publikut është problematike dhe këtu e shoh më shumë përgjegjësinë e Bashkimit Evropian: duhet të jetë e qartë se çfarë shkruhet në marrëveshje dhe çfarë nënkupton konkretisht”, tha ajo, duke komentuar dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë të arritur më 18 mars.

“Njohja e Kosovës nga Serbia është e vetmja rrugë përpara për të gjithë rajonin, por me mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe mbrojtjen e trashëgimisë së tyre kulturore”, shtoi tutje Maroviç, e cila shërbeu edhe si ministre e Çështjeve Evropiane në qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviç.

Ajo foli edhe për zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi dhe gjithashtu komentoi deklaratën e presidentit të sapozgjedhur malazez, Jakov Milatoviç, i cili theksoi se Pavarësia e Kosovës është fakt i padiskutueshëm – kjo është e qartë, u kujdes të sqaronte ai.

“Nuk pres ndonjë ndryshim me apo pa presion, sepse, siç e kam përmendur tashmë, ky nuk është një hap drejt një rajoni më të integruar dhe kjo çështje ka kohë që është përfunduar për sa i përket Malit të Zi”, tha ajo.

Sa i përket nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, për të cilën Serbia insiston, ajo shpresoi se kjo çështje nuk do të jetë prioritet i politikës malazeze, sepse, siç tregoi edhe analiza e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, nuk ka asnjë arsye që kjo çështje të shqyrtohet në këtë moment.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë. Ky aspekt po vlerësohet nga njohësit si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur disa vetura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Disa prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa disa tjera me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore