Lajme

Ish-presidentja e Lituanisë zbulon arsyen që e pengon të bëhet “shefja” e NATO-s


Ish-presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite beson se qëndrimi i saj i ashpër ndaj Rusisë do ta pengojë atë të bëhet Sekretarja e ardhshme e Përgjithshme e NATO-s pas përfundimit të mandatit të Jens Stoltenberg.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë lituaneze.

Grybauskaite konsiderohej si një nga pretendentët për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s.

Tani ajo thotë se qëndrimi i saj i ashpër ndaj Rusisë e ka përjashtuar atë nga kandidimi.

Sipas Grybauskaite-s, posti më i lartë në NATO zakonisht shkon tek dikush që mbështetet unanimisht nga të 30 vendet anëtare.

“Disa vende do të mendojnë se pozicioni im i fortë ndaj Rusisë është një pengesë”, tha Grybauskaite në margjinat e Forumit vjetor Global të Grave Lidere në Rejkjavik.

Ajo shtoi se është e nevojshme që Rusia të trajtohet “si terroriste dhe jo të negociojmë apo të bëjmë kompromise”.

Sipas saj, vendet e NATO-s duhet t’i ofrojnë menjëherë Ukrainës më shumë pajisje ushtarake, të cilat vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ngurrojnë t’i ofrojnë, për shembull, raketa me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin territorin e Rusisë.

Mandati i Stoltenberg do të përfundonte në shtator 2022, por udhëheqësit e NATO-s, të shqetësuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e zgjatën atë deri në vitin 2023.

Siç raportohet, zëvendës kryeministrja kanadeze dhe ministrja e financave Chrystia Freeland është gjithashtu një nga kandidatët për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s pas Stoltenberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore