Lajme

Ish-ministrja e jashtme kërkon të anulohet përkohësisht Marrëveshja e Brukselit pas ngjarjes në Shtërpcë


Meliza Haradinaj – Stublla

Serbia, sipas ish-ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, ka arritur suksesshëm të shkatërrojë gjithë punën dhe përpjekjet për pajtim e integrim ndëretnik që Kosova ka bërë pas luftës sidomos në komunat në Veri të Kosovës.

Mu për këtë arsye diplomatja kosovare, ka kërkuar që Qeveria e Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in të mos lejojnë që Serbia t’i shkatërrojë këto përpjekje e rezultate edhe në komunat jugore të banuara me shumicë serbe.

Policia e Kosovës njoftoi se dy të rinj nga komuniteti serb, banorë të komunës së Shtërpcës, janë plagosur të premten e 6 janarit.

Siç zakonisht ndodhë, në Serbi rastit i kanë dhënë ngjyrime politike. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç, ka deklaruar se “serbët janë qëlluar nga një shqiptar”, derisa pohoi se qëllimi ishte “të na japin Krishtlindje të përgjakshme”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që fajtorët të sjellën para drejtësisë.

Prandaj, Haradinaj-Stublla, ka kërkuar që të ngritët niveli i sigurisë në komunat shumë-etnike, ku “incidentet e orkestruara” mund të agravojnë edhe më tej gjendjen e sigurisë.

“Të ngritet siguria dhe vigjilenca në gjithë kufijtë e Kosovës. Të pezullohet (përkohësisht) Marrëveshja e Brukselit për shkëmbimin e vizitave, përmes së cilës vartësve të Vuçiç’it u mundësohet të vijnë në shtetin sovran të Kosovës për të nxitur urrejtje ndëretnike, për të inskenuar incidente artificiale, e për të kërcënuar serbët që mirë-integrohen në shtetin e Kosovës! Kosova shumë pak e përdorë këtë marrëveshje, dhe asnjëherë për qëllime destabilizimi në Serbi”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore