Kosova

Ish-kryenegociatorja Tahiri mbështetë vendimin për reciprocitet të targave me Serbinë


Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja për Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel

Ish-Kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Edita Tahiri, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit është në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë, marrëveshje kjo që është e bazuar në reciprocitet mes dy shteteve.

“Pika 3 e Marrëveshjes dhe pika 16 e Marrëveshjes për zbatim përcaktojnë qartë reciprocitetin. Me kërkesën e ShBA-ve, Kosova është pajtuar që ta shtyejë për një kohë zbatimin e plotë të reciprocitetit, por jo pafundësisht”, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook, ish-negociatorja Tahiri.

Tahiri shkroi se beson që “Qeveria aktuale e Kosovës ka bërë konsultat e nevojshme me partnerët amerikanë dhe evropianë. Unë si ish-kryenegociatore e Republikës së Kosovës për shtatë vjet në Dialogun e Brukselit, e mbështes vendimin për reciprocitet të Qeverisë aktuale”.

Ndërkaq ditën e hënë ka nisur zbatimi i reciprocitetit për targat me Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur ministri Sveçla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, ka shkruar Sveçla.

Ai njofton se nga 15 shtatori “nuk ka në qarkullim asnjë veturë me targat ‘KS’, duke thënë se targat e vetme ligjore janë ato me denominimin ‘RKS’”.

Ndërsa që nga orët e hershme të mëngjesit të së hënës, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

Nga kampi i Njësisë Speciale në Mitrovicën Veriore i njohur si Belvedere, dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këtë ish pikë  kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore