Lajme

Ish-kryeinspektori i AKI-së sfidon ekzekutivin e legjislativin, rekomandon t’u bëhet test droge të gjithëve


Burim Ramadani

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka rekomanduar t’u bëhet analiza teknike e t’u merret ekzemplari biologjik (testi i drogës), të gjithë vendimmarrësve të vendit.

Ai ka thënë se testi i drogës në krejt nivelet e ekzekutivit e legjislativ “do të mund të çudiste me rezultate”, ndërsa ka shtuar se ky lloj testi imunologjik, përveçse nuk kushton shumë, nuk merr as shumë kohë ngase është “testim i lehtë praktik” nga i cili dalin rezultate të menjëhershme.

“Një test për përdorim droge nëpër shumë nivele shtetërore do të mund të çudiste me rezultate. Kjo nuk është shaka. Le ta bëjnë Narko-Testin të gjitha nivelet vendimmarrëse, ata dhe ato që paguhen nga taksat tona dhe vendosin se si ta shpenzojnë Buxhetin e Kosovës”, ka shkruar Ramadani.

Ky reagim i tij vjen pas arrestimit nga Policia e Shqipërisë të asamblistit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci, nën dyshimet për trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Ai është arrestuar nga Policia e Shqipërisë në Tiranë për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Atij i janë gjetur dhe sekuestruar mbi 5 kilogramë lëndë narkotike, përkatësisht mbi 11 mijë tableta ekstazi MDMA në vlerë prej mbi 400 mijë euro e që destinacion dyshohet se kishin bregdetin shqiptar.

Për transportin e narkotikëve nga Prishtina në Tiranë është shfrytëzuar linja e udhëtimit të rregullt të autobusëve Prishtinë-Tiranë, pikërisht në kohën kur fluksi i qytetarëve dhe hyrje-daljet në pikën e përbashkët kufitare Kosovë-Shqipëri janë rritur ndjeshëm për shkak të pushimeve verore.

Mujeci, në qërshor të këtij viti, ishte emëruar aksionar në kompaninë publike “Stacioni i Autobusëve” nga grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes së bashku me dy partitë e tjera opozitare në komunën e Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore