Lajme

Ish-komandanti i KFOR-it: U përpoqa ta bindë Kurtin që të mos dërgojë Njësinë Speciale në Veri


Ferenc Kajari

Ish-komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ferenc Kajari, ka thënë se ka pasur probleme me autoritetet kosovare, kur dërguan njësitet speciale të policisë në veri të Kosovës.

Ai në një intervistë për revistën ushtarake hungareze, theksoi se është përpjekur ta bindë Albin Kurtin, që të mos i dërgonte forcat speciale ne veri të vendit.

“Propozimi im për kryeministrin e Kosovës ishte që të krijohej një lloj procedure policore bazuar në konsensus”, ka thënë ai duke shtuar se “qëndrimi i qeverisë së Kosovës ishte se nuk negociojnë me kriminelët dhe se policia do të kryejë operacione sipas dëshirës”.

Për Kajarin, një gjë e tillë “tregoi se në të ardhmen mund të presim operacione policore që do të ngrisin tensionet në veri të Kosovës”.

Megjithatë, Kajari ka vlerësuar se pavarësisht qëndrimit të ashpër të Kurtit, policia ka ndjekur rekomandimet e tij dhe njësitet speciale të policisë nuk kanë shkuar në aksion kundër kriminelëve.

Polici i Njësisë Speciale të Kosovës

“Kjo është arsyeja pse nga nëntori deri në fund të janarit dhe mesi i shkurtit, ne arritëm ta qetësojmë situatën. Policia e Kosovës kreu disa operacione të suksesshme në veri të Kosovës kundër trafikantëve të drogës, kultivuesve të drogës dhe kundër objekteve ilegale të mihjes së kriptovalutave”.

Ndryshe, kreu i ekzekutivit kosovar, në takimin lamtumirës me komandantin e KFOR-it, pati theksuar se gjatë mandatit të Kajarit, ka pasur një rritje të konsiderueshme të bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës “veçanërisht në uljen e tensioneve në pjesën veriore të vendit tonë”.

Misioni në Kosovë i Kajarit filloi në të njëjtën kohë kur filloi të ndryshojë në mënyrë dramatike mjedisi i sigurisë globale për shkak të rritjes së politikës ekspansioniste ruse, që kulmoi me agresionin ushtarak në Ukrainë në fillim të këtij viti.

“Pasojat e luftës mund të ndiheshin në të gjithë rajonin, veçanërisht në fjalimet publike”. 

“Kjo është arsyeja pse në mars kam kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e autoriteteve të Prishtinës që të ndryshojnë mënyrën e të folurit, sepse kjo nuk ndihmon në ruajtjen e situatës së sigurisë dhe nxit tensione në mesin e popullit”, shtoi ai.

Pas përfundimit të mandatit, Kajari vlerësoi se nuk mendon se detyra është kryer plotësisht dhe shtoi se njësoj ka qenë me të gjithë komandantët e mëparshëm të KFOR-it.

Më 15 tetor të vitit të kaluar, Ferenc Kajari, ishte emëruar komandanti i ri i KFOR-it.

KFOR -i aktualisht ka 397 ushtarë nga Hungaria. Një numër më të madh ushtarësh kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 660 dhe Italia me 628 ushtarë.

Albanian Post brenda aksionit të Njësisë Speciale në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore