Shqipëria

Ish-klubi Partizani: SPAK caktoi masa për Berishën dhe dhëndrin e tij nën dyshimin për korrupsion pasiv


Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion duke përfshirë Prokurorinë (SPAK), Gjykatën (GJKKO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) u vunë në aksion të shtunën e 21 tetorit për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ky aksion hetimor dhe policor ishte ndër më të bujshmit e strukturave të themeluara dhe të financuara nga autoritetet amerikane që prej krijimit të tyre.

Ndalimi i Malltezit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” u ekzekutua nga agjentët e BKH-së pasi GJKKO-ja kishte caktuar masën “arrest me burg” të kërkuar më herët nga prokurorët e SPAK-ut, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Dhëndri i Berishës dyshohet për akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrim parash pas hetimeve disavjeçare lidhur me privatizimin e ish- Kompleksit Sportiv “Partizani”.

Për këtë aferë privatizimi nën hetim, është caktuar po ashtu masa e sigurisë “detyrim me paraqitje” edhe për ish kryeministrin Sali Berisha, i dyshuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim.

Ndaj tij u vendos dhe masa e ndalimit të udhëtimit jashtë Shqipërisë, duke i bllokuar pasaportën.

Në pranga ra edhe Fatmir Bektashi, ortak me Malltezin dhe ndërtues i kullave ne ish-kompleksin Partizani i cili dyshohet për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin.

Pas disa orësh në komisariatin e Rinasit, Malltezi u shoqërua nga forcat e policisë në ambientet e bllokut të sigurimit në rrugën ‘Mine Peza” në Tiranë ku pritet të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-s për rivlerësim të masës së sigurisë.

GJKKO-ja ka firmosur po ashtu dhe sekuestron e pasurive të Jamarbër Malltezit, ndërkohë agjentët kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e tij dhe të ortakut Bektashi.

Akuzat

SPAK zbuloi më herët akuzat që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër Jamarbër Malltezi, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin sipas nenit 287 të Kodit Penal.

Po ashtu në pranga ra edhe ndërtuesi Fatmri Bektashi, ndaj të cilit rëndon akuza për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin.

Dënim i mundshëm

Neni 260 i Kodit Penal thotë se:

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;

d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

– dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Reagimet

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Sali Berisha hodhi akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Zgjedhësit sot ndihen më Sali Berishë se kurrë. As kufizimi im për të lëvizur në Evropë nuk mund të ndodhë pa miratimin e komisioneve përkatëse parlamentare. Prokuroria seksion i PS-së, mund të marrë çdo vendim”.

Sipas Berishës, akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, sa i takon privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” janë “absolutisht të pabaza”.

“Asnjë veprim nuk do të ndalojë qëndresën dhe betejën pa kthim të opozitës”.

Berisha pranoi se ndaj tij është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Sa i takon masës ndaj dhëndrit të tij, Berisha thotë se Malltezi, nuk është thirrur kurrë nga asnjë prokuror apo gjykatës.

“Ndërsa dhëndri im është ndaluar sot në aeroport tek priste të shoqen që kthehej nga jashtë. U ndalua pa u marrë kurrë në pyetje nga asnjë prokuror apo gjykatës. Akuzat janë pa bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Ramës dhe jo vetëm atij”.

Ish-kryeministri shtoi se “Klubi Partizani, nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes së FA me propozim e Sali Berishës, as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë para Topit”.

“Destinacioni i klubit, në truall për ndërtime është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Berishës. Privatizimi i objekteve të klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos”.

Show politik

Pasi efektivët e policisë i komunikuan masën e sigurisë detyrim paraqitje Sali Berishës për aferën e ish-kompleksit Partizani, Oerd Bylykbashi e quan këtë një “show politik”.

Sipas tij SPAK dhe GJKKO-ja kanë shkelur Kushtetutën duke i kufizuar lirinë një deputeti.

“SPAK dërgon Policinë e Shtetit, e cila në fakt është organ i zbatimit të ligjit dhe jo i urdhrave politikë të Edi Ramës, dërgon Policinë e Shtetit duke kërkuar ekzekutimin e një mase që kufizon lirinë e një deputeti të republikës, zotit Sali Berisha, deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kryetar i PD”, u shpreh fillimisht ai.

Bylykbashi kujtoi se tashmë është praktikë e konsoliduar e Parlamentit të Shqipërisë se prokuroria duhet të kërkojë leje nga Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin jo vetëm për arrestin, por dhe çdo lloj mase tjetër kufizimi të lirisë të çdo shtetasi shqiptar, që është deputet.

“Neni 38 i Kushtetutës përcakton lirinë absolute, të cenueshme vetëm nëpërmjet një vendimi gjykate, të shtetasve shqiptare, të lëvizin të lirë në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë. Urdhri për detyrim paraqitje të deputetit Sali Berisha kufizon pikërisht këtë liri kushtetuese”, theksoi përfaqësuesi demokrat.

Sigurisht nëse do kishim një vendim gjykate për një shtetas të zakonshëm, kjo do ishte e mjaftueshme, por neni 73 i Kushtetutës, detyron që në rast të arrestit apo të çdo lloj kufizimi në çdo formë të lirisë së një deputeti, duhet të kërkohet paraprakisht miratimi i parlamentit, shtoi Bylykbashi.

Ndërtimi i hetimit

Malltezi ka qenë në qendër të akuzave, pasi në nëntor të 2020-s, ish-kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dorëzoi një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Balla ngriti akuzë ndaj Berishës, ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, anëtarëve të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha dhe Jamarbër Malltezit.

Ky i fundit akuzohet si përfitues direkt i kësaj prone.

Çështja është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Më herët, për këtë çështje është thirrur në Prokurorinë e Posaçme ish-drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të FA-ve, Vladimir Qirjazi.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që ndodhej jo shumë larg nga qendra e Tiranës.

Në atë tokë janë ndërtuar dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4 mijë herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, është bashkëpronar me mbi 40 për qind të aksioneve.

Leja u dha nga Bashkia e Tiranës më 18 gusht 2013, kur drejtohej nga Lulzim Basha.

Por, vetëm gjashtë muajsh të nisjes së punimeve, dhëndri i Berishës futet si aksioner i këtij kompleksi.

Kështu, Malltezi u vendos si aksioner te kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, ndërsa aksionet i ka blerë një vit më vonë.

Prokuroria nisi hetimet, e më pas i pushoi edhe pse kishte dyshime për lejen e ndërtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore