Kosova

Ish-diplomati serb: “Çështja e Serbisë me Kosovën nuk mund të zgjidhet ashtu siç dëshiron Perëndimi”


Ish-minitri i jashtëm i Ish-Jugosllavisë, Vlladisllav Jovanoviç

Ish-Kryediplomati i Ish-Jugosllavisë, Vlladisllav Jovanoviç, në një intervistë dhënë për “Sputnik Serbia”, ka deklaruar se nuk sheh ndonjë mundësi që “çështja” e Kosovës përmes dialogut në Bruksel të zgjidhet para përfundimit të vitit 2022.

Sipas tij, në mënyrë që një gjë e tillë të arrihet, “Perëndimi do të duhet të dëgjojë më shumë kërkesat e Beogradit” dhe se “obstruksionin e dialogut e ka bërë Prishtina”.

Jovanoviç konsideron se çështjet e pazgjidhura të Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen më me nguti, veçanërisht pasi konflikti Ukrainë-Rusi është mëse evident.

“Për këtë arsye Perëndimi ka nevojë urgjente që të rehabilitojë situatën në Ballkan, dhe sigurisht se kjo gjë i duhet në mënyrë që të përfitojë një zonë të sigurtë përpara konfrontimeve të paqarta që ka me Rusinë dhe Kinë. Kjo ngase këto janë procese të ndërlidhura”, ka thënë ish-ministri i jashtëm jugosllav.

Për shkak të këtij peisazhi gjeopolitik, Jovanoviç konsideron se Serbisë do t’i bëhet presion më i madh nga ç’kanë patur për të zgjidhur “çështjen” me Kosovën.

“Problemi është se e tëra kjo po ndodh në të njëjtën kohë me procesin zgjedhor në Serbi, dhe se kjo automatikisht do të thotë të humbësh disa muaj kohë për të arritur rezultate të prekshme”.

“Qëllimi kryesor i Perëndimit, është, sigurisht, për të arritur të ashtuquajturën normalizim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe të ashtquajturës Kosovë të pavarur”, supozon Vlladisllav Jovanoviç.

Por, thotë ai, Perëndimi edhe më tej “vazhdon ti komplikojë gjërat” me kushtëzimit e njohjes së Kosovës për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Ata e dinë që Serbia nuk mund ta bëjë këtë, as për nga Kushtetuta, as disponimi politik, as përnga shoqëria”, vazhdon më tej ai.

“Kështu që nuk ka mundësi që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrën siç do Perëndimi, veçanërisht për shkak të Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara kjo gjë nuk mund të ndodh”, konsideron ish-diplomati serb.

“Prandaj”, sipas tij, “beteja për Kosovën do të vazhdojë”.

“Të shantazhosh Serbinë [me Kosovën] do të thotë ta tjetërsosh atë ndaj Perëndimit, gjë të cilën ata nuk duan të ndodh”.

Madje, ky ish-diplomat serb dhe kundërshtar i kahershën i shtetit të pavarur të Kosovës, supozon se “Perëndimi, dikur, do ta vë gishtin në kokë dhe do ta vlerësojë qasjen e tyre ndaj Serbisë”.

Duke vazhduar me një qasje të tillë, që Jovanoviç supozon se është “shantazhuese dhe urdhëruese”, ai thotë se “nuk do të arrihen rezultate”.

“Perëndimi duhet të trajtojë Serbinë përbrenda intesesave kombëtare të saj, së paku deri në një nivel, dhe vetëm kur ta bëjnë këtë mund të presin vazhdimësi pozitive të dialogut nën lehtësimin e BE-së”, thotë Jovanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore