Lajme

Ish-deputeti i VV-së i ashpër me paraqitjen televizive të Konjufcës: Propaganda do përfundojë në koshin e mbeturinave të letrave të tualetit


Afrim Kasolli

Afrimi Kasolli, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili aktualisht merret me shkrime dhe ese filozofike, ka konsideruar se intervista e fundit kryekuvendarit Glauk Konjufca nuk mund të cilësohet asgjë tjetër veçse “përpjekje e ulët dhe e dëshpëruar të pushtetit për të legjitimuar propagandën, mashtrimin dhe dhunën”.

Kasolli ka thënë se paraqitja televizive e numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili për herë të parë njoftoi se Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në sytë e ekzekutivit kosovar është dukur marrëveshje e mirë, nuk është gjë tjetër veçse “përpjekje tinëzare” për të mbuluar “dështimin politik” të Qeverisë së Kosovë me pranimin e marrëveshjes.

Çështja më e diskutuar në Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars) është neni shtatë, nëpërmjet së cilit i kërkohet Kosovës që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), rreth krijimit të kushteve dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, atëherë ai parashihet të zbatohet edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit (2013) që përfshinte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë e që sipas kryekuvendarit Konjufca paraqet një “deal” të mirë ngase Kosova kështu fiton njohjen de facto nga Serbia.

E për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, pushteti aktual po mundohet që me deklarata të tilla të mbulojë “dështimin politik” me pranimin e marrëveshjes së fundit me Serbinë, ngase sipas tij, ky dakordim i arritur fillimisht në fund të shkurtit pastaj në mes të marsit, nuk ka njohje as de facto e për më tepër as njohje de jure.

“Mirëpo, edhe sikur të jetë ashtu siç thotë Konjufca atëherë si mund të justifikohet gazi lotësjelljes, sulmet dhe  polarizimi ekstrem i shoqërisë kosovare gati deri në zgrip të luftës civile, pikërisht për ta pamundësar zbatimin e Asocacionit [të Komunave me shumicë serbe], sepse ky entitet do të jete kanceri i shtetit të Kosovës”, ka shkruar Kasolli në llogarinë e tij.

Ai ka kujtuar se ekzekutivit aktual, atëherë në opozitë, deklarativisht e ka sfiduar zotimin e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar të dëmshëm për interesat e Kosovës dhe që cënon rendin kushtetues të saj, madje duke “ushtruar dhunë ndaj demokracisë se brishtë kosovare”.

“Pra ajo shfaqje mjerane ishte një  përpjekje që me artin e propagandes të bindet shoqëria kosovare për të besuar në “gjithçka dhe në asgjë dhe të mendojë se çdo gjë është e mundur dhe asgjë e vërtetë. Mbase kjo është dilema më e madhe e shoqërisë kosovare sot. A do të pajtohet me këtë mashtrim?  Sepse pranimi i tij nënkupton normalizim të dhunës vetëm për qëllime politike”.

“Dhe nuk ka rrezik më të madh se sa ky opsion. Apo ajo do t’i ndëshkojë mbartësit e këtij mashtrimi. Kurse gjithë ato letra dhe trakte politike e propagandistike të shkruara dhe mbrojtura me zell ndër vite edhe nga Konjufca të përfundojnë në koshin e mbeturinave të letrave të tualetit”, ka përfunduar Kasolli.

BE-jaderi më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim ndërkombëtar. Diplomatët evropianë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër.

Me gjithë mospajtimet lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, diplomatët evropianë po insistojnë se ky mekanizëm për serbët e Kosovës është prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore