Lajme

IS rekruton djem në kampe trajnimi


Më shumë se dy vjet pas rënies së kalifatit të vetëshpallur, grupi terrorist i Shtetit Islamik (IS) po përpiqet të rindërtojë ushtrinë në shkretëtirën lindore të Sirisë.

IS po përdor djemtë dhe adoleshentët, shumë prej tyre të kontrabanduar nga kampet e personave të zhvendosur në verilindje të Sirisë.

Zbulimi, i bazuar në inteligjencën ushtarake amerikane, është pjesë e një raporti të publikuar të martën e 3 gushtit nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes mbi operacionet amerikane dhe aleate në Siri dhe Irak.

Në veçanti, raporti paralajmëroi se, pavarësisht një sërë goditjesh nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA-të, IS ka ndikim të rëndësishëm në shumë prej kampeve. Gjithashtu ndikon edhe në lirinë e lëvizjes.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë paralajmëruan se kampi i personave të zhvendosur “Al- Hol”, në veçanti, ka qenë një vatër për rekrutimin dhe radikalizimin e IS.

Komanda Qendrore Amerikane, e cila mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Mesme, i tha inspektorit të përgjithshëm se, në këmbim të më shumë parave, përkrahëset femra të IS-it rritën përpjekjet e tyre për radikalizim në “Al-Hol” midis prillit dhe qershorit, duke përdorur mediat sociale për të tërhequr fëmijët dhe adoleshentët.

Raporti i inspektorit të përgjithshëm nuk tha se sa fëmijë ishin rekrutuar nga IS.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur në lidhje me potencialin që IS të përfitojë nga kushtet në kampet e personave të zhvendosur, ndërsa grupi terrorist kërkon të rigjenerojë aftësitë e tij.

Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali Kenneth Frank McKenzie, u tha ligjvënësve në prill se situata në “Al-Hol” dhe kampet e tjera ishte një shqetësim kryesor.

“Nëse nuk gjejmë një mënyrë për t’i tërhequr këta fëmijë nga këto kampe… gjejmë një mënyrë për t’i ri-integruar ata në shoqërinë civile”.

Në fillim të këtij viti, zyrtarët amerikanë thanë se kishin frikë se IS kishte arritur të kthente kampet e personave të zhvendosur, dhe “Al-Hol-in” në veçanti, në baza nga të cilat grupi terrorist mund të vepronte.

Al-Hol, shtëpia e më shumë se 60 mijë personave, kryesisht gra dhe fëmijë, po shfaqej gjithashtu si një pikë kryesore tranziti, si për fondet, ashtu edhe për njerëzit dhe armët.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë tani thonë se, pavarësisht marrjes së 125 arrestimeve gjatë operacionit fillestar dhe arrestimeve shtesë në veprimet e mëvonshme, IS mban një “prani të fortë” në kamp. Gjithashtu, vrasjet e drejtuara nga IS në “Al-Hol” janë përsëri në rritje.

Vlerësimet e inteligjencës – të ndara nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara – kanë ngritur po ashtu shqetësime në lidhje me aktivitetin e IS-it në Siri dhe Irak, ku grupi terrorist mendohet të ketë ende 8 mijë deri në 10 mijë luftëtarë në komandën e tij.

Sipas një raporti të OKB -së të lëshuar muajin e kaluar, IS-i në Siri “ka evoluar në një kryengritje të rrënjosur, duke shfrytëzuar dobësitë në sigurinë lokale për të gjetur streha të sigurta” dhe për të synuar forcat lokale që kërkojnë të kundërshtojnë përpjekjet e grupit terrorist.

Raporti paralajmëroi gjithashtu se IS po punon në mënyrë aktive në Siri për të “rindërtuar aftësitë e saj luftarake”.

Të martohesh për “liri”

Në kampin “Al-Hol” në Siri, qindra gra të huaja në shtetin islamik, martohen me burra që i njohin në aplikacione në internet.

Banorëve të kampit u janë dërguar pagesa me vlerë totale prej 500 mijë dollarë, sipas dëshmisë së 50 grave brenda dhe jashtë kampit.

Në kontrabandë janë të përfshirë zyrtarë kurdë vendas, një ish-anëtar i ISIS në Evropën Lindore me njohuri për rrjetin e transferimit të parave dhe një luftëtar i huaj në provincën Idlib.

Sipas shumë të intervistuarve, martesa është e lehtë dhe një metodë gjithnjë e më popullore e arratisjes.

“Çdo ditë është një burrë që më dërgon mesazhe, duke më pyetur nëse jam duke kërkuar burrë”, deklaroi një grua nga Rusia, e cila jetonte në kamp.

Përafërsisht 60 mijë gra dhe fëmijë janë të arrestuar në Hol nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga kurdët.

Burgosja e tyre është një thirrje tubimi për mbështetësit e IS-it në të gjithë botën dhe “martesa” me një nga gratë e burgosura, madje edhe në një marrëdhënie në distancë, në internet është bërë një simbol nderi në rrjetet e mediave sociale të xhihadistëve.

Për burrat, kjo është një mënyrë për të ngritur pozitën e tyre shoqërore dhe për t’i ndihmuar ata në nevojë.

Nga ana tjetër, për gratë e kampit, kjo është një mënyrë për të siguruar të ardhura, të cilat mund t’ua bëjnë jetën në Hol më të mirë.

Paratë përdoren për nevojat e përditshme, si: pelenat, ushqimin, ilaçet, kredinë telefonike dhe për të paguar gratë e tjera për të gatuar dhe pastruar.

Marrë nga VOA, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore