Lajme

Irak, Papa Françesku takohet me Ajatollahun Ali al-Sistani


Papa Françesku, gjatë vizitës historike në Irak, ka zhvilluar një takim simbolik, më 6 mars, me një nga figurat më të fuqishme të Islamit, Ajatollahun e Madh, Seyyid Ali al-Sistani. Ky i fundit është udhëheqësi shpirtëror i miliona myslimanëve Shii-itë.

Ali al-Sistani i shprehu shqetësimin e tij se qytetarët e krishterë duhet të jetojnë si të gjithë irakianët në paqe dhe siguri. Si dhe të jetojnë me të drejtat e tyre të plota kushtetuese.

Papa Françesku në qendër të diskutimit shprehu bashkëpunimin dhe respektin që duhet të mbizotërojnë ndërmjet bashkësive fetare.

Ajatollahu e priti Papën në shtëpinë e tij, në qytetin e shenjtë në Najaf.

Papa Françesku theksoi faktin se i lutet Zotit, Krijuesit të të gjithëve, që toka e dashur irakiane, Lindja e Mesme dhe e gjithë bota të ketë një ardhmëri në paqe e vëllazërim.

Ishte udhëtimi i parë ndërkombëtar i Papës që nga fillimi i pandemisë dhe vizita e parë ndonjëherë papnore në Irak.

Papët e mëparshëm janë përpjekur ta takojnë atë, duke pasur parasysh ndikimin e tij në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sot, Papa Françesku, në këtë vizitë të parë papale në Irak, po e arrin atë. Një takim jashtëzakonisht domethënës për dy udhëheqësit fetarë.

Është një ditë me një simbolikë të thellë dhe ndoshta ajo që do të lërë ndikimin e qëndrueshëm të këtij udhëtimi.

Rreth 10 mijë forca të sigurisë irakiane janë vendosur për të mbrojtur Papën gjatë vizitës së tij.

Disa grupe militante Shia thuhet se e kanë kundërshtuar vizitën. Duke pretenduar se turneu përbën ndërhyrje të Perëndimit në punët e vendit.

Papa Françesku më vonë do të udhëtojë në qytetin antik të Ur, ku Profeti Abraham, krijuesi i Islamit, Krishterimin dhe Judaizmin besohet të ketë lindur.

Çfarë ka ndodhur në udhëtimin e Papës deri më tani?

Menjëherë pasi u përshëndet në aeroportin e Bagdatit nga kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, të premten, Papa kërkoi t’u jepnin fund akteve të dhunës dhe ekstremizmit, fraksioneve dhe intolerancës.

“Prania shekullore e të krishterëve në këtë tokë dhe kontributet e tyre në jetën e kombit, përbëjnë një trashëgimi të pasur që ata dëshirojnë të vazhdojnë ta vendosin në shërbim të të gjithëve”.

Ai tha se komuniteti i krishterë duhet të ketë një rol më të spikatur si qytetarë me të drejta, liri dhe përgjegjësi të plota.

Cili është itinerari i Papës?

Për shkak të kufizimeve të Covid-19, Papa do të ketë ekspozim të kufizuar ndaj publikut.

Ai ka marrë dy doza të vaksinës BioNTech / Pfizer. Por ekziston frika se udhëtimi mund të bëhet një burim infeksioni për përhapjen e coronavirusi-t.

Të dielën, Papa do të vizitojë Mosulin. Aty ai do të thotë një lutje në Sheshin e Kishave për viktimat e luftës me Shtetin Islamik (IS). Aty ngelën të vdekur dhjetëra mijëra civilë.

Më vonë, ai është planifikuar të drejtojë meshën në një stadium futbolli në Irbil në veri, në të cilin pritet të marrin pjesë deri në 10 mijë njerëz.

Papa gjithashtu do të vizitojë pranë Qaraqosh, ku të krishterët janë kthyer që nga disfata e IS-it në 2017.

Historia e të krishterëve në Irak
Pakica e krishterë në Irak është goditur nga valët e dhunës që nga pushtimi i Irakut i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vitin 2003. Ku rrëzuan Saddam Huseinin.

Një nga komunitetet më të vjetra të krishtera në botë ka parë numrin e tij të biente gjatë dy dekadave të fundit nga 1.4 milionë në rreth 250 mijë, më pak se 1% e popullsisë.

Shumë kanë ikur jashtë vendit për t’i shpëtuar dhunës që ka pllakosur vendin që nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA-ja.

Dhjetëra mijëra u zhvendosën, kur militantët e IS-it pushtuan Irakun verior në 2014. Ata shkatërruan kështu kishat e tyre historike. Konfiskuan pronën e tyre, gjithashtu u vendosën atyre zgjedhjen për të paguar një taksë, për t’u kthyer, për t’u larguar ose për t’u përballur me vdekjen.

Kush janë të krishterët e Irakut?

Njerëzit në atë që është tani Irak-u, pranuan krishterimin në Shekullin I Pas Lindjes së Krishtit.

Sipas departamentit të shtetit të SHBA-së, udhëheqësit e krishterë deklarojnë se ka më pak se 250 mijë të krishterë që kanë mbetur në Irak.

Përafërsisht 67% e tyre janë katolikë Kaldea-s, Kisha e të cilëve me rit Lindor ruan liturgjinë dhe traditat e veta por njeh autoritetin e papës në Romë. Një pjesë tjetër 20%, janë anëtarë të Kishës Asiriane të Lindjes, që besohet të jetë më e vjetra në Irak.

Pjesa tjetër janë ortodoksë sirianë, katolikë sirianë, katolikë armenë, apostolikë armenë, si dhe protestantë anglikanë, ungjillorë dhe të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore