Opinione / Politikë

Vizita e Papa Françeskut në Irak, mesazh politik


Papa Françesku shkon në Irak në periudhë pandemie.

Koha e pandemisë duket më pak e ndjeshme, krahasuar me ngjarjet që i kanë dhënë Irakut shijen e tragjedisë së përhershme. Papa shkon pas atentatit të janarit në Bagdat. 32 jetë humbën pas sulmit të befasishëm të milicianëve, të cilët njihen si përkrahësit ideologjikë të Iranit.

Papa shkon në Irak vetëm disa ditë para revolucionit sirian dhe disa ditë pas denoncimit të patriarkut maronit libanez, Kardinalit Beshara Rai: ka paralajmëruar se vendi po përballet me kërcënimin e një “grushti shteti të plotë”. Komentet e patriarkut u panë shumë qartë si një referencë ndaj Hezbollah-ut, i mbështetur nga Irani.

Udhëtimi i Papa Françeskut fillon të premten e 5 marsit dhe mbaron ditën e hënë, më datë 8 mars.

Vendosmëria e Papës për këtë udhëtim është dëshmi e qartë jo vetëm e qëllimit shpirtëror të kësaj vizite, por edhe atij politik.

Kjo është hera e parë që kreu i Kishës Katolike shkel në tokën ku Bibla vendos lindjen e Abrahamit. Në vitin 2000, Gjon Pali II ishte përpjekur ta bënte këtë vizitë, por nuk ia arriti.

Në fakt, Papa Françesku do të kishte dashur ta bënte këtë vizitë që në 2014-ën, por kur Shteti Islamik mori Mosulin dhe më pas Rrafshinën e Nineveh-it, ku jetonin shumë të krishterë, udhëtimi u anulua nga agjenda.

Për të kuptuar rëndësinë gjeopolitike të rajonit, mjafton të shihet një hartë e hapur. Mesopotamia është dera e hyrjes drejt Mesdheut.

Moska ka bazën e saj në Siri dhe përmes portit të Tartusit kontrollon Mesdheun; Irani kontrollon Bejrutin përmes Hezbollah-ut dhe Sirinë përmes Damaskut dhe Latakies; në këtë rajon kalohet në ngushticën e Hormuz-it dhe dilet në Gjirin Persik. Ndërkohë nga Teherani përmes Mesdheut arrihet deri në Palermo. Kush kontrollon zonën, kontrollon bllokun euro-aziatik.

Iraku, Siria dhe Libani janë gjithashtu terreni i korridoreve të mundshme të naftës, të dëshiruara nga të gjithë lojtarët e fuqishëm për të arritur në Evropë.

Prandaj Papa Françesku shkon në Irak, epiqendra e këtij konflikti botëror, në të cilin të gjitha fuqitë e botës (Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Arabia Saudite, Irani, Britania e Madhe, Franca) janë të pranishëm në fushën e betejës siriano-irakene.

Dhe nuk shkon si emisar shpirtëror që mishëron Perëndimin, por për të ndërtuar urë paqeje.

Ai shkon në vendin ku vuajnë sunitët, shiitët, të krishterët, jazidët, sabeanët, shabakët, kurdët, arabët. Ku nga 1 milion e 400 mijë të krishterë përpara 2003-it, numri i tyre pas luftërave ndërfetare dhe më pas asaj të Shtetit Islamik, ka arritur rreth 300 mijë.

Kjo e bën të qartë vlerën globale të Irakut. Udhëtimi i Papës bazohet në një moto të Ungjillit: “Ju të gjithë jeni vëllezër”, sipas Mateos 23,8.

Vëllazërimi do të simbolizohet nga një shërbim i përbashkët lutjeje në vendin antik arkeologjik të Ur-it, që besohet të jetë vendlindja e Abrahamit. Në ceremoni do të marrin pjesë jazidë, por dhe pakicat të tjera fetare të krishtera, si dhe myslimanë.

Myslimanët dhe të krishterët, së bashku për paqe!

Çfarë mund të sjellë udhëtimi disaditor i Françeskut në këtë kontekst?

Françesku do të takojë kryeministrin Mustafa Al-Kadhimi-n dhe presidentin Barham Saleh.

Nuk ishte e thënë që Papa të shkonte në Najaf për të takuar Ajatollah al Sistanin atje. Por ai e zgjodhi këtë, kur fare mirë mund të zgjidhte Bagdadin. Kjo është hera e parë e një takimi të këtij niveli midis një përfaqësuesi të kësaj shkolle, pakice të Islamit dhe Selisë së Shenjtë të Vatikanit.

Al Sistani është një nga autoritetet më të mëdha të botës shiite, që asnjëherë nuk iu përul shiizmit politik khomeinist të Iranit. Ai ka qenë gjithnjë kundër sektarizmit politik duke konsideruar shiitët e Irakut mbi të gjitha irakenë.

Dhe Papa Françesku vendos të takohet me al Sistanin në Najaf, zemra historike dhe teologjike e Shiizmit, e barasvlershme me Jeruzalemin për të krishterët.

Dy vjet më parë, Papa Françesku u takua me imamin e madh të xhamisë al-Azhar të Kajros, Sheik Ahmed al-Tayeb, një nga klerikët kryesorë sunitë në botë, në një thirrje novatore për një angazhim ndër-besimtar ndaj vëllazërisë njerëzore.

Ai e ka takuar atë në shumë raste: në Vatikan, në Kajro, në Abu Dhabi – duke i dhënë fund një grindjeje dhjetëvjeçare midis Selisë së Shenjtë dhe Universitetit të al Azharit.

Vizita e Françeskut në Najaf do të jetë kulmi i këtij udhëtimi. Krijon kështu kushtet që Islami të pranojë më në fund veten e tij si një fe pluraliste, pra e gatshme për të jetuar dhe bashkëjetuar në një botë pluraliste.

Nga pikëpamja gjeopolitike, mesazhi është i qartë: Mesopotamia është një portë që nuk mund t’i dorëzohet asnjë perandorie. Historia e saj është ndërthurje civilizimesh e kulturash.

Udhëtimi i Françeskut është një sfidë e një forcë që nuk është parë kurrë më parë.

 


Lajmet kryesore