Lajme

Papa mbërrin në Irak


Papa Françesku filloi vizitën e tij historike në Irak. Kjo është vizita e parë e një pape në origjinën e Kishave Lindore, ku më shumë se një milion të krishterë janë larguar gjatë 20 viteve të fundit.

Vizita e Papës ka një vlerë shumë simbolike, duke pasur parasysh rëndësinë e të krishterëve irakenë në historinë e besimit dhe trashëgiminë e tyre kulturore e gjuhësore, e cila daton që nga koha e Babilonisë antike, gati 4 mijë vjet më parë.

Përndjekja sistematike e të krishterëve irakenë nga duart e al-Qaedas, së pari, dhe pastaj nga Shteti Islamik (IS) në vitet e fundit ka shtyrë dhjetëra mijëra prej tyre të largohen.

Papa do të takojë komunitetet e krishtera që po pakësohen në  Bagdad, Mosul dhe Qaraqosh,

Ky i fundit është qyteti më i madh i krishterë në Irak në Rrafshinat e Nineveh. Në vitin 2014, aty grupi i armatosur i IS-it zhduki mbetjet e pranisë së krishterë që kishin mbijetuar në fushatat e dhunshme të al-Qaedas.

Në Erbil, Papa do të takohet me autoritetet kurde dhe disa nga 150 mijë refugjatët e krishterë.

“Ne shpresojmë që vizita e Papës të sjellë një vëmendje të madhe për tragjedinë e të krishterëve në Lindje dhe t’i inkurajojë ata të qëndrojnë”, tha kardinali Louis Raphael Sako, patriarku i Kishave Kaldeane, i lindur në Irak.

Fillimi i Diasporës

Para pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në 2003, të krishterët në Irak ishin rreth 1.6 milionë. Sot kanë mbetur më pak se 300 mijë.

Që nga ajo kohë, 58 kisha janë dëmtuar ose shkatërruar dhe qindra të krishterë irakenë janë vrarë vetëm për besimin e tyre.

Nën diktatorin Saddam Hussein, komunitetet e krishtera u toleruan dhe nuk u përballen me kërcënime të rëndësishme të sigurisë, megjithëse ishin të diskriminuar.

Largimi filloi pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja dhe kaosit që ndodhi kur al-Kaeda filloi një fushatë të vrasjeve me shënjestër rrëmbimet e priftërinjve dhe peshkopëve.

Në vitin 2010, 48 adhurues u vranë në një katedrale Syro-Katolike në Bagdad, ku Papa do të mbajë takimin publik.

Me të mbërritur në Mosul, IS-i u kërkoi të krishterëve që të konvertoheshin në islam, të paguanin një taksë ose të copëtoheshin. Mijëra u larguan në rajonin gjysmë-autonom kurd dhe vendet fqinje.

Dialog ndërfetar

Papa Françesku do të takohet me presidentin iraken, Barham Salih, dhe zyrtarë në Bagdad, ku pritet të ngrejë shqetësime rreth diskriminimit dhe frikësimit me të cilin përballen të krishterët.

Papa, i cili në vitin 2019 përuroi një fazë të re të dialogut ndërfetar midis Kishës Romake dhe Islamit, gjithashtu do të vizitojë Najafin për të takuar Ajatollahun e Madh Ali al-Sistani, autoriteti më i lartë Shia në Irak, ku myslimanët Shia përfaqësojnë rreth 70% të totalit të popullsisë.

Përfaqësues të besimeve të tjera dhe grupeve të pakicave të Irakut, përfshirë myslimanët sunitë dhe jazidët, pritet të marrin pjesë në një takim ndërfetar me papën në Ur, në Irakun Jugor, i cili konsiderohet gjerësisht vendlindja e Patriarkut Abraham, babait të tre besimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore