Shqipëria

IPI e konsideron problematik ndalimin e publikimit të dhënave të hakuara


Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) konsideron se ndalimi i publikimit të dhënave të hakuara është thellësisht problematik.

Lajmi u bë i ditur nga IPI në median sociale “Twitter”.

“Ky ndalim i përgjithshëm i publikimit të informacionit nga të dhënat e hakuara, nën kërcënimin e ndjekjes penale dhe bllokimit të faqeve të internetit, është thellësisht problematik. Asnjë gazetar nuk duhet të përballet me sanksione penale për publikimin e materialit në interes të publikut”, thekson instituti.

Më herët, Prokuroria e Tiranës deklaroi se të dhënat e publikuara nga autorët e sulmeve kibernetike nuk duhet të publikohen nga mediat.

“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit”, vërente fillimisht njoftimi.

Institucioni i drejtësisë sqaron se ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi.

AMA dhe AKEP do të mbledhin të dhëna dhe kushdo që gjendet fajtor, do të mbajë përgjegjësi, shton deklarata zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore